Jetlir Zyberaj këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, dje përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se MPJ u ka ndaluar hyrjen në Kosovë të gjithë zyrtarëve serbë.
Mirëpo një vendim i tillë po del të mos jetë marrë në koordinim me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ky i fundit sot në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Poznan të Polonisë, i ka thënë kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq se ky lajm nuk është i vërtetë.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media, ku thuhet se Qeveria nuk ka marrë asnjë vendim të tillë.
“Pas raportimeve të fundit dhe adresimit të shumë mediave në pyetje rreth deklaratave për ndalesën e hyrjes në Kosovë për qytetarët serb, njoftojmë opinionin se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë një vendim të tillë.
Protokolli i vizitave të zyrtarëve nga shteti i Serbisë tashmë është i njohur dhe secila kërkesë trajtohet në bazë të procedurave ligjore” thotë njoftimi i Qeverisë. /Telegrafi/