Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës, e ka caktuar datën 14 prill si Ditë Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit.
Para kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti tha se ky vendim është për njohjen e dhimbjes dhe vuajtjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Duke njohur dhimbjen e grave dhe vajzave, por edhe të djemve dhe burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, në bashkërendim me presidenten Vjosa Osmani propozojmë caktimin e datës 14 prill si Ditë Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, gjatë luftës së fundit në Kosovë dhunimet seksuale të burrave, grave e fëmijëve, u përdorën si mjet lufte nga forcat ushtarake, jo ushtarake e policore të Serbisë. Numri i saktë i personave që u përdhunuan gjatë luftës nuk dihet, por sipas raporteve të organizatave relevante, vendore e ndërkombëtare, besohet të jetë rreth 20 mijë. Ndërkohë, deri tani statusi i viktimës u është njohur një mijë e 217 grave dhe 57 burrave. /Telegrafi/