Site icon Telegrafi

Qeveria britanike refuzon peticionin me 5,75 milionë nënshkrime për anulimin e Brexit-it

Qeveria britanike ka hedhur poshtë një peticion me më shumë se 5.75 milionë nënshkrime me anë të të cilit bëhej thirrje për ndaljen e Brexit, duke anuluar nenin 50.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, në një përgjigje zyrtare të postuar në faqen e internetit të peticioneve parlamentare, Qeveria tha: “Kjo qeveri nuk do të revokojë nenin 50. Ne do të nderojmë rezultatin e referendumit 2016 dhe do të punojmë me Parlamentin për të arritur një marrëveshje që siguron që ne të largohemi nga Bashkimi Evropian”.

Ndryshe, peticioni për të anuluar Brexit-in arriti në 5,000,000 nënshkrime në vetëm pesë ditë të dielën.

Mediat britanike shkruajnë se fushata për revokimin e nenit 50 është protesta më popullore online në histori me rreth 2,000 njerëz që nënshkruajnë një minutë.

Siç bëhet e ditur, të gjitha peticionet parlamentare kërkojnë 100,000 nënshkrime që të debatohen në parlamentin britanik – gjë të cilën ky peticion e ka arritur për vetëm disa orë.

Megjithatë, kryeministrja Theresa May ka thënë se ajo nuk do të pranojë anulimin e Brexit, pasi që kjo do të shkaktonte “dëm potencialisht të pariparueshëm për besimin publik”. /Telegrafi/

Exit mobile version