Telegrafi

Qeveria anulon vendimin për shpronësimin e pronave, të cilat preken nga projekti i autostradës Prishtinë-Pejë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se kanë anuluar vendimin për shpronësimin e pronave të cilat prekën nga realizimi i autostradës Prishtinë – Pejë.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se raporti i auditorit ka gjetur shkelje të shumta në vendim, transmeton Telegrafi.

“Qeveria me datën 17 dhjetor 2019 kishte nxjerrë vendim për shpronësimin e pronave të cilat preken nga realizimi i autostradës Prishtinë – Pejë. Objekti i shpronësimit i është nënshtruar auditimit, ku të gjeturat e auditorit shpërfaqin shkelje të shumta. Janë fryrë kostot në dëmtim të buxhetit”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës në reagimin e bërë për media theksoi se bëhet fjalë për shpërputhjen prej mbi 12 milionë eurove.

“Pas gjetjeve të auditorit që shpërfaqin shkelje të shumta në procesin e shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Pejë, Segmenti Kijevë-Klinë- Zahaq, dhe me qëllim të ndaljes së keqpërdorimit dhe abuzimit të parasë publike, përkatësisht për shpërputhjen prej mbi 12 milionë eurove, sot edhe formalisht Qeveria anuloi këtë proces të dëmshëm”, thuhet në njoftim.

Në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Pejë. /Telegrafi/