Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, gjatë konferencës së tij për shtyp, ku edhe i bëri thirrje presidentit Ivanov që të tërheq vendimin dhe të dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re, lejoi edhe gazetarët të bëjnë pyetje. I pyetur se çfarë do të ndërmarrë në vazhdim pas vendimit të Ivanovit, ai tha se për çdo gjë ka zgjidhje, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Në gjithë këto vite, muaj para nesh, edhe ju gazetarët por edhe ne nga opozita, por para se gjithash edhe qytetarët, kemi parë se ka zgjidhje për gjithçka. Ka zgjidhje edhe për këtë situatë. Asnjëherë nuk i kam treguar zgjidhjet para kohe, por një gjë është e sigurtë, mençuria e popullit tonë na bëri që të shpëtojmë nga regjimi me stilolaps dhe votë. Duhet të vazhdojmë kështu me mençuri dhe urtësi”, u përgjigj Zaev.
Ndërsa i pyetur se a do të ankohen në Gjykatën Kushtetuese për këtë vendim të Ivanovit, Zaev tha se do ta rishikojmë këtë mundësi duke u konsultuar me ekspertët e partisë./Telegrafi/