Situata në Komunën e Fushës Kosovës nga reshjet e shiut dhe borës është qetësuar, mirëpo pasojat dhe dëmet e shkaktuara janë të mëdha.
Ekipi i Telegrafit sot i ka vizituar disa zona ku ka pasur vërshime nga reshjet e shiut në këtë komunë, si dhe ka biseduar me disa nga banorët të cilët në kushte anonimiteti kërkuan që dëmet e shkaktuara të ju kompensohen nga Komuna e Fushë Kosovës.
Në lidhje me këtë zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli në një intervistë dhënë për Telegrafin ka thënë se në kuadër të Shtabit Emergjent i kanë edhe pesë Komisione Vlerësuese të cilat kanë dal në terren për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
Ai tregoi se ende nuk ka një raport përfundimtarë vlerësues se sa mund të jenë pasojat dhe dëmet e shkaktuara.
“Nuk kemi një raport të detajuar pasi kjo është në proces, presim në çdo moment deri sa të qetësohet gjendja të arrijmë në një raport përfundimtarë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës i ka premtuar Komunës së Fushë Kosovës se do t’i ndihmoj që të ua kompensojnë dëmet e shkaktuara qytetarëve të kësaj komune.
“E kemi një sinjal të mirë nga Qeveria e Kosovës, të cilët na kanë premtuar së paku ndihmë që do të jenë pranë nesh dhe mundësitë buxhetore sigurisht që janë të limituara që urgjentisht të intervenohet, pasi ende buxheti është i mbyllur. Vlerësimi do të bëhet si dhe kompensimet do të bëhen”, ka thënë zëdhënësi i Fushë Kosovës.
Topalli po ashtu tha se sot situata në këtë komunë është më e qetë, përveç në lumin Sitnica e cila siç tha ai ende nuk ka një rënie të kënaqshme të nivelit të ujit.
“Sot është një situatë më e qetë në komunën tonë, përveç në lumin Sitnica e cila ende nuk ka një rënie aq të kënaqshme, lumenjtë tjerë kanë rënie të nivelit të ujit dhe sigurisht që jemi të kënaqur. Gjendja duket më e qetë, këtë e them në bazë të vlerësimeve të Komisioneve tona punuese të cilët i kemi në vazhdimësi në terren. Në kuadër të Shtabit Emergjent që e kemi të formuar në komunë i kemi dhe Komisionet Vlerësuese, kemi pesë prej tyre të cilët janë në vazhdimësi në terren, në çdo moment duke bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, duke pa shkallën e nivelit të ujit dhe probleme të tjera të infrastrukturës”, u shpreh ai.
Mirëpo se si qëndron gjendja e shtretërve të lumenjve si dhe sa ka investuar komuna për rregullimin e tyre, Topalli tha: “Kemi investuar shumë në lumenjtë, por të them të drejtën këto ishin vërshime që nuk mbahen mend, pasi kanë dal jashtë çdo parashikimi. Projektet tona janë që të vazhdojmë me rregullimin e shtretërve të lumenjve edhe pse kemi investuar. Aty ku janë të dëmtuara do të sanohen, ndërsa do të shohim aty ku ka mundësi intervenimi do të shohim në këtë drejtim”.
Telegrafi nga afër vizitoi edhe fshatin Vragoli, aty ku kalon edhe lumi Sitnica, i cili nga niveli i lartë i ujit ka dal nga shtrati i tij duke vërshuar çdo gjë përreth.
Njëri nga banorët ekipit të Telegrafit i tha se rregullimi i shtratit të lumit nuk është bërë ashtu siç duhet, duke treguar edhe një pjesë poshtë rrugës e cila ishte e mbuluar mbi tre metra me ujë, afër së cilës, penda anësore mbrojtëse e lumit ishte vetëm e mbuluar me dhe, e jo me beton. /Telegrafi/
Vërshimet në fshatin Vragoli