Site icon Telegrafi

Qeriqi: Fajin për listat e fryra të veteranëve e ka Komisioni qeveritar (Video)

Keqpërdorimet e mëdha me listat e veteranëve të ish–Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe përfshirja e njerëzve pa meritë në to, po e shqetëson Këshillin për Mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së.

Xhevdet Qeriqi si përfaqësues i këtij këshilli në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka theksuar se askush nuk e di sa është numri i saktë i veteranëve të UÇK-së dhe se ka pasur fryrje të listës.

Ai ka thënë se fajtori kryesor për fryrjen e listave është Komisioni që merret me verifikimin e veteranëve.

“Unë mendoj që numrin e saktë të veteranëve që janë lista nuk e dinë as Qeveria e Kosovës, as Komisioni dhe as ne”, ka shtuar Qeriqi.

Më tutje ai ka thënë se luftëtarët e vërtetë kanë hyrë qysh në fillim në lista, sepse sipas tij, ka pasur shumë pak ankesa dhe ka qenë lehtë e identifikueshme çdo gjë.

“Unë mendoj se kemi dyfishim ose trefishim të numrit të veteranëve, dhe krejt kjo me fajin e Komisionit që merret me verifikim. Agim Çeku ka qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe mendoj se e dinë përafërsisht sa ka qenë numri i veteranëve”, ka theksuar Qeriqi.

Sipas tij, ndonëse Qeveria e Kosovës e ka obligim ligjor që t’i publikojë listat, ky institucion ende nuk e ka bërë këtë gjë.

Qeriqi ka folur edhe për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj dhe për brigadën e pa qenë “Hasan Prishtina”. /Telegrafi/

Exit mobile version