Dorëheqja e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj nga pozita e tij, është shqetësuese dhe dekurajuese për përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së.
Xhevdet Qeriqi nga ky këshill në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka thënë se me çështjen e keqpërdorimeve të listave të veteranëve të UÇK-së duhet të merret prokuroria në veçanti dhe drejtësia në përgjithësi.
“Ka njerëz që po përfitojnë padrejtësisht nga buxheti i shtetit. Reagimet për këto keqpërdorime kanë ardhur nga luftëtarët e vërtetë, madje ka pasur reagime edhe nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Mendoj se sa më parë duhet të zbardhet e vërteta”, ka theksuar ai.
Qeriqi ka thënë se ata do të protestojnë që të mos ndodhin këto keqpërdorime, sepse sipas tij, në këtë mënyrë po rrënohet imazhi dhe morali i luftëtarëve të vërtetë dhe po dëmtohet buxheti i Kosovës.
“Unë mendoj se është lehtë e verifikueshme, sepse ekzistojnë arkivat që prej kohës së luftës. Madje, pas luftës të gjithë luftëtarët që kanë qenë pjesë e luftës janë pajisur më një dokument që e ka dëshmuar pjesëmarrjen e tyre në UÇK, derisa të tjerët e kanë një certifikatë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës”, ka shtuar Qeriqi. /Telegrafi/