Telegrafi

Qentë endacak “pushtojnë” parkun e Gërmisë, qytetarët ndihen të rrezikuar

Qytetarët e komunës së Prishtinës vazhdojnë të përballen me problemin e qeneve endacakë, të cilët shihen pothuajse në çdo rrugë të kryeqytetit.

Një gjë e tillë vazhdon të mbetet shqetësim për qytetarët, të cilët ndihen të rrezikuar nga ta.

Numër i madh i qeneve endacakë janë parë sot në parkun e Gërmisë, gjë që ka shqetësuar qytetarët.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet se tufa e qeneve vrapon në një drejtim dhe dëgjohen edhe lehjet e tyre.

Kujtojmë se ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bëri të ditur se ka nënshkruar një kontratë që siguron vazhdimin e trajtimit të qeneve endacakë e që përfshin zënien, kontrollin, ushqimin, vaksinimin, identifikimin, sterilizimin, hospitalizimin dhe lëshimin. /Telegrafi/