Fëmijët dhe më të moshuarit janë më të rrezikuarit nga sulmet e qenve endacak që në numër të madh bredhin lagjeve të Shkupit.
Qytetarët ankohen se shumë fëmijë tashmë kanë fobi nga këto qen duke mos guxuar të dalin jashtë oborrit të shtëpisë.
“Më tepër fëmijët frikohen, marrin trauma, të mëdhenjtë jo ama fëmijët marrin trauma. Sidomos në rrugën “Petar Manxhukov” shumë ka qen, mblidhen, i lëshon dikush, nuk e di prej ku vijnë. Duhet shteti me i marr e me i çu në stacionar ose me i vaksinu”, tha një qytetar.
“Nëse njëri leh, dhjetë të tjerë do të dalin, të gjithë fshihen nën makina, shumë ka. Kur janë të vegjël të gjithë I marrin se janë të mirë, kur rriten i lënë sepse nuk ju duhen, nuk mund të kujdesen. Kur shkoj në mëngjes në xhami, e parkoj makinë afër xhamisë, kam një shkop që mbaj me vete, të mbrohem në rast se vijnë”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Para një jave e sulmuan nusen time. Deshi ta telefonoj policinë por im bir tha se nuk do të bëjnë asgjë. Për çdo ditë shkoj në pazar, ka shumë”, theksoi një qytetar.
Nga ndërmarrja publike për strehimin e qenve “Lajka” thanë për “Alsat” se nuk kanë numër të saktë të intervenimeve të kryera por se kanë vepruar thuajse pas çdo denoncimi të bërë në këtë institucion posaçërisht nëse lokacioni i qenve të tillë është afër objekteve shkollore ose kopshteve./Alsat/