Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës, nga lista e PSD-së, Qëndron Kastrati ka thënë se është sulmuar mbrëmë nga disa persona.
Kastrati tha se është sulmuar nga Bujar dhe Besim Fera të cilët sipas tij kishin krijuar një postbllok në fshatin Karaçevë e Poshtme.
“E vërtetë është, jam nxanë në pritë në Karaçevë edhe më kanë sulmuar. Unë kam arrit me i identifiku, Besim Fera, Bujar Fera dhe Bekim Keka. Jam brengosur në raport me organet e rendit. E kemi denoncu lajmin, pastaj kish ndodh edhe një sulm tjetër pas një ore”, tha Kastrati në një prononcim për KALLXO.com.
Në lidhje me këto pretendime KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Bujar Ferën, imam në po atë fshat.
“Jo nuk kemi qenë të përfshirë, ne i kemi dhënë deklaratat e tona në institucionet e sigurisë edhe nuk kemi qenë të përfshirë direkt, mirëpo kjo është lojë dhe linçim i Qëndron Kastratit që ma ka bërë mua gjatë tërë fushatës, sepse Qendron Kastrati me vendimin e tij politik dhe abitrar m`i ka lanë dy fmi pa shkollim që dy vite. Ky është veç linçim i Qëndron Kastratit, por shpresoj që sonte që të marrë fund dinastia e tij e dhunshme politike për qytetarët e Kamenicës. Absolutisht jo nuk kemi qenë të përfshirë, me garancë”, tha Bujar Feraj.
Në anën tjetër, Policia e Rajonit të Gjilanit ka thënë se janë duke e hetuar rastin.