Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (European Centre for Press and Media Freedom – ECPMF), i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit Albin Kurti, që ta tërheq vendimin e MINT, për pezullim të certifikatës së biznesit të mediumit Klan Kosova.
Në reagimin e tyre, ECPMF thotë se janë të alarmuar me këtë vendim të MINT-it.
Gjatë reagimit ata thonë se qëndrojnë të mendimit se kjo po bëhet me qëllimin e mbylljes së mediumit, që synon të diktojë përmbajtjen editoriale të mediave.
”Jemi të alarmuar me vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit të medias private kombëtare Klan Kosova. Vendimi bazohet në faktin se një nga pronarët e kompanisë ka përdorur pasaportën e tij serbe për të regjistruar Klan Kosova në Maqedoninë e Veriut, gjë që çoi në dokumente që paraqesin qytetet e Kosovës si qytete serbe.
Ato dokumente janë shfrytëzuar për hapjen e filialit të Klan Kosovës në Kosovë, gjë që nuk është e ndaluar me ligj dhe me asnjë procedurë.
Vendimi i qeverisë, i analizuar nga ECPMF, i referohet bazës ligjore të gabuar dhe të parëndësishme, nuk ka arsyetim të duhur, është marrë nga dikasteri pa kompetencë për pezullimin e certifikatave të biznesit.
Më tej, procedura e pezullimit të certifikatave të biznesit nuk ekziston sipas legjislacionit kombëtar.
Ne besojmë se qëllimi i Ministrisë është mbyllja e Klan Kosovës dhe pajtohemi me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK se kjo është e paprecedentë në historinë e re të Kosovës dhe synon të diktojë përmbajtjen editoriale të mediave.
I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të revokojë këtë vendim dhe t’i japë fund të menjëhershëm përkeqësimit të shpejtë të lirisë së mediave në Kosovë, një vend që shquhej për pluralizëm dhe liri mediatike në rajon.
Gjithashtu i bëjmë thirrje Komisionit të Pavarur për Media që të mos ndërmarrë asnjë masë ndaj Klan Kosovës në bazë të këtij vendimi arbitrar dhe të kundërligjshëm.
Ky rast është një test për pavarësinë e anëtarëve të rinj të KPM-së. Ne do të ndjekim zhvillimet nga afër dhe do t’ju mbajmë të përditësuar”, thuhet në reagim. /Telegrafi/