Site icon Telegrafi

Qendra e skijimit “Brezovica”: Potencial i Kosovës apo kaos?

“Ata kanë krijuar kaos” apo “ Ata e lanë kaosin”, janë akuzat e ndërsjella mes drejtuesve aktualë të Qendrës së skijimit “Brezovica” dhe drejtuesve të Komunës së Shtërpcës.

Qendra e skijimit “Brezovica” gjendet në vendin me të njëjtin emër, në territorin e komunës së Shtërpcës – një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër – e cila është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri” në jug të Kosovës.

Në fillim të vitit 2022, Agjencia Kosovare e Privatizimit mori nën kontroll këtë qendër skijimi, e cila deri atëherë funksiononte sipas sistemit të Serbisë. Vendpushimet në kuadër të këtij resori për skijim, janë të lëna pas dore, por menaxhmenti aktual dhe Bordi drejtues po paralajmërojnë investime.

Në anën tjetër, nga komuna e Shtërpcës, e cila është nën kontrollin e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – thonë se vendimet merren në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe punëtorëve të Qendrës së skijimit.

Pas zgjedhjes së Bordit të ri menaxhues, në korrik të vitit të kaluar, kjo komunë e “ngriu” bashkëpunimin me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për gjoja ndërhyrje politike.

Kush e shkaktoi kaosin në Qendrën e skijimit “Brezovica”?

“Të shkojmë në katin e pestë për të parë se çfarë kaosi është”, thotë Zoran Geriq, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Skijimit “Brezovica”.

Në katin e pestë të hotelit “Molika”, i ndërtuar në vitin 1985, i cili ndodhet pikërisht pranë pistës kryesore të skive në Brezovicë, dhomat janë me shtretër, tavolina e karrige të thyera, mure të rrënuara nga lagështia dhe me çati që pikon.

Geriq thotë se dhomat në katin e tretë dhe të katërt, të këtij hoteli të shekullit të kaluar, dukeshin ngjashëm. Sipas tij, ato janë një “trashëgimi” nga menaxhmenti i kaluar, porse janë rinovuar “në kohë rekord” me angazhimin e vetë punëtorëve.

“Punëtorët qëndruan edhe pas orarit (të punës) për të përfunduar gjithçka dhe arritëm të nisnim sezonin”, thotë Geriq, i cili u emërua menaxher i resortit të famshëm të skive në Kosovë, në dhjetor të vitit 2023.

Derisa u emërua në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës së skijimit, Geriq ishte këshilltar për turizëm. Ai thotë se gjatë gjithë kohës ka vënë në dukje parregullsitë, investimet e pakta dhe mosfunksionimin e teleferikut, por askush nuk e ka dëgjuar.

“Kur e mora detyrën, ishte katastrofë. Në hotel nuk ishte investuar asgjë, teleferiku nuk ishte gati, linja teleferike nuk ishte gati, kablloja ishte prishur”, thotë ai duke i përmendur disa nga vërejtjet ndaj ish-menaxhmentit.

Sipas Geriqit, plani është që me ndihmën e Agjencisë së Privatizimit të rinovohet kati i pestë i hotelit “Molika”, të ndërtohen apartamente dhe një qendër SPA.

“Kemi çfarë të tregojmë, jemi në negociata me sportistët për të ardhur këtu për përgatitje. Zhvillimi i turizmit veror është në plan”, shton ai.

Mirëpo, autoritetet lokale në Shtërpcë, më 23 janar 2024, kanë njoftuar se Qendra e skijimit “Brezovica” është “në kaos” dhe se Geriq dhe Bordi drejtues po veprojnë me urdhër të Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti, “kundër interesave të qytetarëve të komunës së Shtërpcës dhe veçanërisht të punëtorëve që me dekada punojnë në Qendrën e skijimit”.

Geriq, në deklaratën e tij për REL-in, e cilëson si “komunikatë e turpshme” njoftimin e autoriteteve lokale të Shtërpcës, duke theksuar se në Qendrën e skijimit “Brezovica” punon që nga mesi i viteve ‘80 të shekullit të kaluar dhe se në karrierën e tij dyzetvjeçare i ka mbrojtur pikërisht të drejtat e punëtorëve.

Kryetar i komunës së Shtërpcës është Dallibor Jevtiq nga Lista Serbe. Më 26 janar, në seancën e Kuvendit të Komunës, ai sërish i bëri thirrje menaxhmentit të Qendrës së skijimit “Brezovica” që “të ketë kujdes se çfarë po bën”.

Ai shtoi se Qendra e skijimit “Brezovica” është “resurs i qytetarëve të Shtërpcës dhe i këshilltarëve që kanë përvojë disa dekada”.

Kryetari i Bordit drejtues të Qendrës së Skijimit “Brezovica”, Filko Jovanoviq, thotë se Jevtiq po i hedh akuza për shkak se “nuk e ka më kontrollin që kishte mbi menaxhmentin dhe bordin e mëparshëm”.

“Gjithçka për të cilën na akuzojnë, në fakt, është bërë nga ta”, thotë Filko Jovanoviq.

Shkarkim i menaxhmentit dhe Bordit të drejtorëve apo skadim i mandatit?

Komuna e Shtërpcës, e udhëhequr nga Dalibor Jevtiq, pretendon se Bordi drejtues i Qendrës së skijimit “Brezovica” dhe drejtori Petar Simiq janë shkarkuar me vendim politik të Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, sipas urdhrit të kryeministrit Kurti.

Ata shtojnë se udhëheqja e re është “politike”, e cila punon dhe vepron “ekskluzivisht me urdhër nga Prishtina”.

Në anën tjetër, kryetari i Bordit të drejtorëve, Filko Jovanoviq, thotë se ai dhe anëtarët e tjerë janë zgjedhur në bazë të konkursit të qershorit të vitit 2023 dhe se nuk ka pasur ndonjë shkarkim, siç e përmendin udhëheqësit lokalë të Shtërpcës.

Ai sqaron se edhe ish-drejtorit Petar Simiq i ka skaduar mandati, i cili nuk është vazhduar më tej, për shkak se Bordi i ri i drejtorëve nuk ka qenë i kënaqur me punën e tij.

“Për disa vite nuk ka pasur asnjë investim, në çfarë gjendje ka mbetur kati i pestë, në çfarë gjendje ka qenë kati i katërt dhe i tretë. Ne i rregulluam ato (dhomat në katin e tretë dhe të katërt), siguruam kushte shumë më të mira”, thotë Jovanoviq.

Ai shton se Qendra e skijimit “Brezovica”, që nga mesi i dhjetorit, ka realizuar gati dyfishin e të hyrave sesa gjatë gjithë sezonit të kaluar. Megjithatë, ai nuk ka dashur të saktësojë se sa janë ato të hyra.

A pati keqpërdorime të resurseve në Qendrën e skijimit?

Menaxhmenti aktual i Qendrës së skijimit “Brezovica” potencon se përveç dhomave, është rinovuar edhe restoranti në hotelin “Molika”.

Dragan Milovanoviq, kamerier në këtë restorant, thotë se mysafirët janë më të kënaqur.

“Kjo është ajo që kam vërejtur”, shprehet ai në deklaratën e tij për REL-in dhe shton se edhe ai ka filluar të punojë në Qendrën e skijimit “Brezovica” në vitet e ‘80-ta.

Mirëpo, Komuna e Shtërpcës pretendon se resurset e Qendrës së skijimit, duke filluar nga restorantet dhe hapësirat reklamuese, i jepen një personi që “punon dhe vepron kundër interesave të qytetarëve”.

“Resurset deri më tani i ka menaxhuar udhëheqja e Komunës së Shtërpcës, e jo drejtori (i Qendrës së skijimit) apo Bordi i drejtorëve”, u përgjigjet këtyre akuzave Filko Jovanoviq.

Ai shton se për hapësirën reklamuese nuk është paguar më parë dhe se kështu vetëm i është shkaktuar dëm Qendrës së skijimit.

“Për disa vite, kjo është bërë pa tenderë, jashtë rregulloreve. Menaxhimin e burimeve e kemi kthyer në ndërmarrje. Me atë hapësirë reklamuese është siguruar gjysma e pagave për punëtorët”, thekson Jovanoviq.

REL-i i është drejtuar Komunës së Shtërpcës që t’u përgjigjet këtyre akuzave, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka dhënë as Agjencia Kosovare e Privatizimit, nën kontrollin e së cilës është Qendra e skijimit “Brezovica”.

Lidhjet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim me Qendrën e skijimit?

Komuna e Shtërpcës e ka ndërlidhur edhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në krye të së cilës është Nenad Rashiq, me Qendrën e skijimit në “Brezovica”, duke e pyetur se çfarë kompetencash ka për të ftuar mbledhje lidhur me menaxhimin e këtij resorti.

Po ashtu, shtohet se Ministria për Komunitete dhe Kthim po e “privatizon” Qendrën e skijimit “Brezovica” dhe se kjo është arsyeja pse ky resort është në “kaos”.

Ndryshe, kryetari aktual i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka qenë për disa mandate ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Pas tij, deri në fillim të nëntorit të vitit 2022, këtë ministri e drejtonte Goran Rakiq, po ashtu nga Lista Serbe. Por, ai dha dorëheqje në kuadër të daljes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.

Më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atë post ministror ia dha Nenad Rashiqit nga Partia Demokratike Progresive, parti kjo jashtë Parlamentit.

Rashiq ka thënë se të martën ka marrë pjesë në mbledhjen për Qendrën e skijimit “Brezovica”, së bashku me tre ministra të tjerë të Qeverisë së Kosovës, si dhe me përfaqësues të Parkut Kombëtar “Sharri”, Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencisë për Privatizim.

Në atë takim, siç ka thënë ai, janë diskutuar çështje teknike, si pastrimi i borës dhe të ngjashme.

“Pas takimit tonë të martën, të gjitha vendet e parkimit u pastruan. Nëse keni shkuar ndonjëherë në hotelin ‘Molika’, e dini se çfarë do të thotë kjo, trafiku ishte i bllokuar. Mos e dhëntë Zoti t’i ndodhte dikujt diçka, derisa e transportoni, do të ishte e tmerrshme”, thotë Rashiq.

Ai shton se në atë takim, disa ministri të Qeverisë së Kosovës janë pajtuar për ndërtimin e një rruge unazore dhe zgjerimin e kapaciteteve, për të mundësuar zhvillimin ekonomik.

“Me një fjalë, ky ka qenë përkushtim i Qeverisë, rritja e kapaciteteve të Qendrës së skijimit ‘Brezovica’”, thekson Rashiq.

Ai vlerësoi se “shumë interesa personale kërcënohen nga fakti se po përpiqemi të vendosim rregull”.

Brezovica dhe ndërtimet e paligjshme

Në dhjetor të vitit 2021, Policia e Kosovës arrestoi dhjetëra persona nga komuniteti serb dhe shqiptar, nën dyshimin për lëshimin e paligjshëm të lejeve të ndërtimit në Brezovicë.

Në mesin e tyre ishte edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, po ashtu nga radhët e Listës Serbe.

Ai dyshohet se ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme mbi një milion euro.

Prokurori në rastin “Brezovica”, Rasim Maloku, në një intervistë të mëhershme për REL-in, ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë konfiskuar më shumë se 70 objekte të ndërtuara ilegalisht në Brezovicë.

Ndërkohë, në fund të gushtit të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim për lirimin me kusht të shtatë personave.

Paraprakisht, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë disa aktgjykime ku thuhet se të akuzuarve në rastin e Brezovicës u janë shkelur të drejtat, me zgjatjen e paraburgimit pa aktakuzë. /REL/

 

Exit mobile version