Site icon Telegrafi

Qëllon me armë zjarri në drejtim të forcave RENEA, arrestohet 49-vjeçari në Vaun e Dejës

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar sot arrestimin e një 49-vjeçari në Vaun e Dejës në Shkodër. Personi rezulton me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me rekorde të theksuara kriminale në fushat e krimeve ndaj personit dhe të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë momentit të arrestimit, ky person ka qëlluar me armë zjarri kundër policisë dhe RENEA-s.

“Bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, po futej në banesë, kanë finalizuar në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, operacionin policor të koduar “Neutralizimi”. Në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën dhe i kanë bërë thirrje shtetasit në emër të Policisë së Shtetit, për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë”, lexohet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në pranga ka rënë shtetasi Agim Gjata, banues në Barbullush, i dënuar më parë për vrasje.

Shërbimet e Forcës Speciale RENEA i kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe gjatë kontrollit, i kanë gjetur dhe i kanë sekuestruar 49-vjeçarit edhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi. /Telegrafi/

Exit mobile version