Prokuroria Speciale po merr në pyetje të arrestuarit nga Serbia në territorin e Malit të Zi. Prokuroria ka bërë me dije se të arrestuarit, përveç tjerash, dyshohen se “kanë planifikuar që ta arrestojnë kryeministrin e Malit të Zi”, Millo Gjukanoviq.
“Ka dyshime të bazuara se në fillim të muajit tetor, në Serbi dhe Mal të Zi është krijuar organizata kriminale, me qëllim të ndikimit në pushtetin ekzekutiv dhe atë të drejtësisë në Mal të Zi”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale, të cilën e transmeton Televizioni shtetëror i Malit të Zi.
Prokuroria thekson se ekziston “dyshimi i bazuar se organizata kishte planifikuar që në periudhën e publikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, me përdorim të armëve, të sulmojnë qytetarët e mbledhur përpara Kuvendit të Malit të Zi dhe pjesëtarët e Drejtorisë së policisë, dhe pastaj të marrin hapësirat e Kuvendit, me qëllim të deklarimit të fitores zgjedhore të partive të caktuara politike”.
Dyshohet gjithashtu se, “plani i organizatës kriminale ishte që të arrestonte kryeministrin e Malit të Zi”, thuhet në kumtesë.
“Anëtarët e organizatës kriminale kanë marrë udhëzime që të shpërndajnë paraprakisht armët me qëllim të realizimit të mëtejmë të planit lriminal”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale. “Shtetasit serbë u arrestuan kur kanë dashur që të kontrollojnë deponë e fshehur dhe të përgatitur paraprakisht si dhe armatimin dhe municionon”. /REL/