Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, theksoi se që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës e deri më sot ka pas më shumë incidente të karakterit politik sesa religjioz.
Ai këtë deklaratë e bëri gjatë publikimit të raportit me titull “Vlerësimi i rreziqeve në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë-Shkurt 2008 – Qershor 2017”, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në kuadër të programit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.
Qehaja po ashtu tha se sfidën më të madhe në këtë projekt e kanë pasur në identifikimin e incidenteve në Kosovë, transmeton Telegrafi.
“Kemi inskenuar të gjitha incidentet terroriste ekstremiste që kanë ndodhur në territorin tonë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Sfidën më të madhe e kemi pas identifikimin e incidenteve në periudhën nëntë vjeçare, pastaj ndarjen e karakterit të incidentit, si politik apo religjioz. Kemi pas më shumë incidente të karakterit politik sesa religjioz”, ka thënë Qehaja. /Telegrafi/