Eksperti i sigurisë, Florian Qehaja, ka thënë se edhe për një kohë Kosova nuk do të mund të pranohet në Interpol.
“Për momentin nuk mund të pranohemi në Interpol, meqë Këshilli Ekzekutiv i këtij mekanizmi 50 për qind është i përbërë nga shtete që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Qehaja në emisionin “Puls” të KTV-së.
Tutje Qehaja, që është drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se për anëtarësimi në këtë mekanizëm të sigurisë duhet të jetë përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e jo asaj të brendshme, përcjell koha.net.
Në anën tjetër, ai ka thënë se Kosova ka dështuar në aspektin diplomatik.
“I kemi mbushur ambasadat me kuadro klanore”, ka thënë ai.
Sikurse analistja Besa Shahini, që po ashtu ka qenë e ftuar në “Puls” edhe Qehaja ka thënë se këtë vit për kosovarët nuk do të ketë liberalizim të vizave.