Telegrafi

Qasja e BE-së ndaj Kosovës e padrejtë, Woelk: Po shihet edhe ndaj vendimit të fundit për ndalimin e dinarit serb

Ekspertja për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Federica Woelk, ka thënë se qasja e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës në dialogun me Serbinë është e padrejtë dhe kjo sipas saj po shihet edhe me reagimet ndaj vendimit të fundit që ka ndërmarr Banka Qendrore e Kosovës për ndalimin e dinarit serb.

Woelk përmes një postimi në platformën X ka shkruar se BE-ja përpiqet të përfshijë në dialog vetëm pikat që favorizojnë Serbinë.

“Politika e ndërmarrë ndaj Kosovës nga BE-ja është thellësisht e padrejtë dhe absolutisht e pabazuar në asnjë lloj fakti. Kjo shihet veçanërisht nga vendimi për ndërhyrje në Kushtetutën e Kosovës në lidhje me dinarin”, ka shkruar Woelk.

Tutje Woelk potencoi se njëanshmëria është e qartë dhe që ndërmjetësuesit janë të prirë drejt Serbisë.

“Mund të shihet nga mënyra se si po merret BE-ja me dialogun: presion mbi Kosovën, zero presion ndaj Serbisë. Kjo qasje është krejtësisht e gabuar… Mund të shihet edhe nga fakti se sa herë që Kosova thotë se do të nënshkruajë, por Serbia thotë se jo, BE thotë se nënshkrimet nuk janë më të nevojshme. Edhe pse marrëveshjet ndërkombëtare kanë nevojë për nënshkrime për t’u zbatuar.

Jo, nuk është si qëndrimet e tjera të politikës së jashtme të BE-së. Njëanshmëria në këtë rast është aq konkrete dhe aq e qartë, saqë ndërmjetësuesit janë totalisht të prirë drejt Serbisë dhe nuk ka asnjë mundësi për një dialog të vërtetë”, shkruan ajo.

Ekspertja Woelk vlerësoi se anshmëria ndaj Serbisë mund të shihet edhe nga vendimi për të mos ndërmarrë asnjë veprim kundër Serbisë lidhur me sulmin terrorist në Banjska.

“Askush nuk flet më për të. Por një polic kosovar u vra. Dhe është e rëndësishme të ndërmerren veprime”, tha Woelk. /Telegrafi/