Telegrafi

Qarkullonte me armë zjarri në makinë, arrestohet 28-vjeçari në Tiranë

Foto: Arkiv

Një 28-vjeçar në Tiranë ka rënë në prangat e Policisë, pasi mbante pa leje teksa qarkullonte me makinë një armë zjarri të tipit pistoletë dhe municion.

Përmes një njoftimi Policia bën të ditur se pistoleta dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Në zbatim të masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, finalizohet operacioni policor i koduar “Road”.

Operacioni u zhvillua nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6.

Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak, vihet në pranga poseduesi.

Shërbimet e Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në afërsi të Casa Italias, me një automjet tip “Ford”, qarkullonte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Road”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Valias.

Shërbimet e Policisë në afërsi të Casa Italias, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. M. Gjatë kontrollit çantës së 28-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë. /Telegrafi/