Site icon Telegrafi

Qalaj: ​Patrullimet në Ujman bëhen prej vitit 2008, Sveçla ka shkuar në veri vetëm si ministër

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj deklaroi se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla për herë të parë ka vizituar veriun e vendit kur është bërë ministër.

Qalaj komentoi deklaratat e Sveçlës se “Policia e Kosovës po patrullon për herë të parë në liqenin e Ujmanit”.

Sipas tij, patrullimet e Policisë së Kosovës në këtë pjesë të vendit realizohen që nga viti 2008 varësisht prej nevojave operacionale.

“Po unë mendoj që Sveçla në pjesët e veriut ka shkuar për herë të parë pasi që u bë ministër, për të është interesant kjo çështje dhe për të gjitha veprimet e PK-së fillojnë me kohën ku u bë ministër. Mos të harrojmë që në këtë pjesë në liqenin policia ka patrulluar që nga 2008-ta dhe atë varësisht prej vlerësimeve operacionale që janë bërë. Këto patrullime janë bërë periodike bazuar në nevojat e Policisë bazuar në vlerësimin e situatës për çka janë bërë ato patrullime të parandalojnë kontrabandën, etj”, tha ai në Tëvë1.

Madje, deputeti opozitar thotë se deklaratat e ministrit janë të pavërteta dhe se sipas tij, ai duhet që të punojë më shumë në përmirësimin e kushteve për policët.

“Mendoj që kjo deklaratë jo e vërtetë e cila tenton që çdo veprim që e bëjnë institucionet t’ia adresojnë meritat qeverisë mirëpo është më mirë ta mbështes policinë me buxhet që të mos mbesin pa uniforma siç kanë mbetur sot, që të mos mbesin pa këpucë, të ketë pajisje më të mira ndërsa është menaxhmenti i cili vlerëson se cilat veprime duhet ti bëjë në çdo pjesë të vendit”, tha ai.

Po ashtu, Qalaj deklaroi se me pushtetin aktual ka një degradim në aspektin e sigurisë për shkak se nuk po mund të shtrihet sovraniteti në komunat veriore të vendit.

“Po e kemi një keqësim të madh edhe pse i dëgjoni kolegët e mi nga partia në pushtet sipas tyre Kosova është duke e shtrirë ndikimin, sovranitetin mendoj që nga aspekti i sigurisë kemi degradim sepse sa herë po kemi përpjekje për të implementuar vendimet e qeverisë po kemi një reaksion shumë të madh të qytetarëve të pjesës veriore të shtyra nga elementi politik dhe kriminal që me anën e bllokikimt të rrugëve të pamundësojnë implementimin e vendimeve”, shtoi ai.

Tutje, Qalaj vlerëson se në kohën sa ai ishte drejtor policie, çdo vendim që është marrë është zbatuar dhe nuk kanë lejuar të bllokohen rrugët.

Exit mobile version