Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka deklaruar se që nga koha e pandemisë dhe deri më sot Policia ka ndaluar 2087 persona të cilët nuk kanë respektuar vendimin e Qeverisë, ku pjesa më e madhe ka vazhduar në procedurë të rregullt, por mbi 100 janë dërguar në mbajtje.
Qalaj në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se të gjitha rastet janë trajtuar si vepër penale.
“Ne të gjitha rastet i kemi trajtuar si vepër penale dhe besoj që në të ardhmen do të rregullohet çështja e ligjeve sepse më mirë do të ishte të trajtoheshin si vepër civile”, tha ai.
Ai shtoi se angazhimi i policëve edhe sot nuk ka ndryshuar, pas nga heqja e karantinës, kanë rritur numrin e kontrolleve nëpër vende të ndryshme.
I pari i policisë ka numëruar sfidat që kishte institucioni që drejton në kohën e pandemisë, duke thënë se situata është menaxhuar mirë fal vullnetit të policëve.
Qalaj ka thënë se fillimisht ka pas mungesë të maskave dhe pajisjeve tjera të nevojshme por shumë shpejt janë pajisur dhe gjatë gjithë kohës pastaj ka pas të mjaftueshme fal edhe donatorëve që ndihmojnë këtë institucion.
Ai tha se duke e parë që pandemia përhapej në tërë Kosovën, kanë dhënë urdhër që angazhimi i policëve të jetë 12 orë.
“Mbi 7 mijë policë kanë qenë të angazhuar gjatë kohës së pandemisë dhe ishte kohë e gjatë gjë që ishte e lodhshme për policët”, tha ai.
Qalaj theksoi se sfidë gjatë kësaj kohe ishte shpërndarja e ushqimit, gjë që është vendos që policët ta marrin ushqimin nga shtëpia./Telegrafi/