Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka hedhur si të pabazuar ankesat e subjekteve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe PDAK-LPB.
Në vendimin e PZAP-së thuhet se e ka hedhur si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, me të cilën ka kërkuar anulimin e rezultatit të votave me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kandidatëve të saj, saktësisht 18 mijë e 933 vota.
PZAP ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e LVV-së dhe për këtë arsye ka refuzuar ankesën.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa A.nr.641/2025 e datës 17.03.2025 e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me seli në Prishtinë, e parashtruar kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me seli në Prishtinë, Nr.01/727-2025, të datës 15 mars 2025, për shpalljen e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të datës 09.02.2025, me të cilën ka kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë për subjektin politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe kandidatët e saj, gjithsej 18,933 vota dhe këto vota të largohen nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ta urdhëroj KQZ-në të të përsërisë votimin me postë në tërësi dhe të largojë nga lista e kandidatëve të LDK-së kandidatët e cekur me emër dhe mbiemër në arsyetimin e kësaj ankese, për shkak të manipulimit me votat e ardhura me postë dhe të mos e lejojë subjektin politik LDK t’i zëvendësojë kandidatët e larguar”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
PZAP bën të ditur se refuzohet se e pabazuar ankesa e parashtruar nga LVV-së kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës lidhur me PDK-në.
Po ashtu në vendimin tjetër të PZAP-së bëhet e ditur se refuzohet e pa bazuar kërkesa e PDK-së me të cilën ka kërkuar rishikimin e vendimit të PZAP-it me të cilën është shqiptuar dënimi me gjobë prej 4 mijë euro.
Në vendimin tjetër të PZAP refuzohet e pabazuar ankesa nga koalicioni PDAL-LPB kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/