Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sot ka mbajtur mbledhje me anëtarët e saj, ku është shqyrtuar vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me numërimin e 4 mijë e 639 votave nga diaspora.
Anëtari i PZAP-it, Fejzullah Rexhepi pas mbledhjes ka thënë se vendimi është marrë, mirëpo nuk mund ta bëjë të ditur deri sa i njëjti të përpilohet në formën e shkruar.
Ai ka shtuar se së pari do të njoftohen palët ankuese, këtë rast siç është Lëvizja Vetëvendosje, e më pas do të njoftohet opinioni.
“Sa i përket kësaj, vendimi është marrë por nuk është marrë në formë të shkruar, pra derisa të merret në formë të shkruar nuk mund ta kumtojmë se cili është. Por brenda ditës sot del edhe vendimi në formë të shkruar. Për shkak se është rregull të njoftohen në fillim subjekti që ka parashtruar ankesën, palët dhe më pas mediat e të tjerët”, tha Fejzullah Rexhepi.
Gjatë së premtes Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, për numërimin e votave të mërgatës. /Telegrafi/