Në marrëdhëniet që shkojnë pikërisht ashtu siç e keni imagjinuar, në mënyrën e tyre, ndiheni të kënaqur, të lumtur dhe të sigurt. Megjithatë, po sikur gjithçka që keni ëndërruar të bjerë në ujë dhe ju nuk e dini nëse partneri juaj është me të vërtetë ‘i duhuri’, ndaj a ia vlen të luftoni për atë dashuri apo jeni thjesht një gjë kalimtare në jetën e tij?
Nëse ka kohë që nuk jeni të kënaqur në një lidhje apo martesë, mos prisni që gjërat të ndryshojnë, por ndaloni nëse mendoni se nën sipërfaqe nuk është në rregull. Shpesh mendojmë se cilët janë treguesit e një marrëdhënieje të keqe që do të na ndihmojnë ta ndërpresim atë. Në vijim janë disa gjëra që duhet t’u kushtoni vëmendje:
Nuk duhet t’ju kërkojë ta ndryshoni dukjen tuaj
Bëni një ndryshim vetëm kur edhe ju e dëshironi dhe jo sepse jua kërkon partneri. Nëse ai nuk është i kënaqur me pamjen tuaj, atëherë nuk është për ju.
Nuk duhet të hiqni dorë nga pikëpamjet tuaja për shkak të tij
Me kalimin e viteve, ne gjithashtu piqemi dhe ndryshojmë si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Faza të ndryshme të jetës na formojnë dhe kështu ne ndërtojmë qëndrimet tona. Asnjëherë mos lejoni dikë t’ua ndryshojë bindjet tuaja vetëm sepse nuk i pëlqejnë ato. Ti je ti, ai është ai, dhe kjo do të thotë vetëm një gjë – që ai nuk të respekton ty si person.
Kurrë mos i ndërpre lidhjet me familjen dhe miqtë për shkak të tij
Ndoshta në fillim partneri juaj është qendra e botës dhe bën gjithçka për t’ju bërë të ndiheni mirë, por sapo arrin në fazën ku të ndalon të rrish me miqtë ose të shkosh çdo ditë te prindërit, e kupton se ka mbaruar.
Në fillim të lidhjes është normale që pjesën më të madhe të kohës ta kaloni me njëri-tjetrin, por nëse ai kërkon që t’i përkushtoheni vetëm atij, mos u pajtoni.
Nuk duhet t’ju kërkohet të hiqni dorë nga kufijtë tuaj
Bazuar në gjithçka që keni kaluar në jetë, është normale që keni vendosur disa kufij emocionalë dhe fizikë dhe ai këmbëngul që të hiqni dorë prej tyre. Jo, ai nuk është i duhuri, ndaj vazhdo pa u penduar, sepse kushdo që dëshiron të të ndryshojë, nuk të respekton sa duhet.
Mos ia jepni privatësinë tuaj, mbajeni gjithmonë për vete
Nëse një nga kërkesat e tij është që të hiqni dorë nga privatësia juaj, kjo marrëdhënie nuk është për ju. Disa gjëra thjesht duhet t’i mbani për vete, pavarësisht se pandershmëria nuk është e dëshirueshme në një lidhje.
Do të thotë që secili prej nesh ka hapësirën e tij personale dhe në një marrëdhënie askush nuk duhet t’jua kërkojë ta bëni atë që nuk dëshironi të bëni. /Telegrafi/