Reperi i njohur Majk, ka qenë së fundmi i ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”.
Mes shumë të rejave për jetën private dhe profesionale, ai rrëfeu edhe se si vazhdon të jetë i angazhuar në shumë koncerte dhe punime për këngë të reja.
Teksa në transmetim u lëshua për shikuesit një pjesë e këngës “Sa gjynah”, të cilën ai e këndon me Butrint Imeri, të shumta ishin duartrokitjet në sallë që përshëndetën këtë bashkëpunim të dyshes.
Pas përfundimit të klipit, Ermali e ngacmoi reperin me pyetjen rreth shifrave të mëdha të klikimeve që këngët e tij arrijnë, ashtu si edhe të kolegëve të tij.
I pyetur nëse është akuzuar ndonjëherë për blerje, përgjigja e reperit ishte “Jo”, teksa me ironi u shpreh: “Njerëzit i bëjnë milionat në Rinas për pesë minuta, e ti po më flet për klikime në YouTube”.
Pas kësaj deklarate, të shumta ishin të qeshurat në sallë, teksa Majk vazhdoi sqarimin lidhur me faktin se çdo klikim në këngët e tij është i vërtetë.
Pos të tjerash, ai përmendi edhe se i është futur punës për realizimin e një albumi, bashkë me Getoar Selimin. /Telegrafi/