Sllovaku Miroslav Lajçak në krye të dialogut mes Kosovës e Serbisë si i deleguar i BE-së, përkundër reagimeve të shumta, nuk po shihet si problem real. Kështu thonë njohës të integrimeve evropiane, teksa shtojnë se tashmë rolin kryesor në dialog do ta kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, pritet te jete emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi.
Propozimi në fjalë ka nxitur reagime në Kosovë. Mirëpo, fakti që ai vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, nuk po shihet si problem.
“Ai do të përfaqësojë qëndrimin e shteteve anëtare të BE-së. Pra ai nuk do të flasë as në emrin e tij personal, e as në emër të shtetit që përfaqëson. Edhe zoti Borrell ka ndryshua qëndrimin 180 shkallë nga koha kur ka qenë ministër i Jashtëm i Spanjës. Pres që edhe zoti Lajçak të reflektojë një qasje të tillë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Besnik Vasolli.
“Besoj se nuk do të ketë një ndikim të madh fakti që Lajçaku vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën. Ai ka një përvojë në Ballkan dhe e njeh mirë situatën këtu”, deklaroi Selatin Kllokoqi, përcjell Telegrafi.
Sipas Vasollit, qëndrimi i unifikuar i SHBA-së dhe BE-së, është i rëndësishëm.
“Për Kosovën është më rëndësi që BE dhe SHBA të jenë të koordinuara gjatë këtij procesi pasi Kosova synon të aderojë në BE ndërsa të ardhmen e Kosovës më së miri e ka garantuar SHBA”, deklaroi më tej Besnik Vasolli.
Kllokoqi beson se ne vijim rolin kryesor ne dialog do ta ketë Amerika.
“E dimë që BE-ja prej një kohe të gjatë nuk ka pasur ndonjë sukses të madh në dialog. Implikimi i amerikanëve i ka dhënë një dinamikë të re dialogut. Me siguri që evropianët do të mbesin mbrapa dhe rolin kryesor në dialog duket se do ta kenë amerikanët”, deklaroi Selatin Kllokoqi.
Presidenti Thaçi i ka bërë thirrje BE-së që t’i japë peshë politike përfshirjes së vet në dialogun Kosovë – Serbi, ndërsa e ka cilësuar ministrin e Jashtëm të Sllovakisë një emisar të pa kredibilitet.
Momentalisht Miroslav Lajçak mban postin e ministrit te jashtëm te Republikës se Sllovakisë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/