Me gjithë akuzat dhe refuzimin e tyre, për përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale franceze, një gjë duket e mundshme: së paku një kandidat pro-rus, do të kualifikohet për rundin e dytë të votimeve.
Megjithëqë Moska vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në fushatë, një valë e raporteve të rrejshme dhe sulmet kibernetike kompjuterike kundër kandidatit të pavarur, Emmanuel Macron, që është i vetmi pjesëmarrës në garën zgjedhore, që e ka distancuar vetveten nga Rusia, e ka sjellë një ndjenjë të asaj që tashmë është parë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.
Votuesit francezë do të zgjedhin ndërmjet katër kandidatëve, ndërsa tre prej tyre konsiderohen se janë pro-rusë.
Emmanuel Macron, që është politikan i qendrës, dhe liderja nacionaliste radikale, Marine Le Pen, që ishin në krye të hulumtimeve të opinionit, kanë humbur terren javëve të fundit, duke lejuar që republikani konservator, Francois Fillon, dhe Jean-Luc Melenchon, i mbështetur nga komunistët, që të dy të angazhohen për lidhje të afërta me Rusinë, ta bëjnë situatën tejet të paqartë.
Burr: Rusia – shkatërruese e balancës së lidershipit
Derisa disa shtete në gjithë Evropën këtë vit mbajnë zgjedhje, shqetësimet për përzierjen e mundshme të Rusisë janë shtuar për shkak të pretendimeve se Moska në mënyrë sistematike i ka dëmtuar zgjedhjet presidenciale amerikane në nëntor të vitit të kaluar, që kanë përfunduar me fitoren befasuese të Donald Trumpit, që supozohet se ishte kandidat i preferuar i Kremlinit.
“Ne jemi në teh që potencialisht t’i kemi dy shtete evropiane, ku Rusia është shkatërruese e balancës së lidershpit të tyre”, ka thënë në fund të muajit të kaluar, kryesuesi i Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara, Richar Burr, republikan nga Karolina Veriore.
Sipas tij, “përpjekjet e hapura dhe ato të fshehura në Gjermani dhe Francë, tashmë ishin provuar në Mal të Zi dhe Holandë”.
Sipas hulumtimeve më të reja të opinionit të kryera nga kompania, Cevipof, për gazetën parisiene, “Le Mond”, Macron e ka mbështetjen 23%, Le Pen, 22%, Fillon 19.5% dhe Melenchon, 19 %.
Paqartësinë e shton edhe fakti se një e katërta e elektoratit nuk ka vendosur ende se për kë do të votojë.
Nëse në rundin e parë asnjë kandidat nuk fiton më tepër se 50% të votave, atëherë dy rivalët më të suksesshëm kualifikohen për rundin e dytë, që mbahet më 7 maj.
Nuk ka dyshim se Franca shihet si një cak i rëndësishëm në çfarëdo përpjekje të jashtme për të ndikuar në drejtimin e politikave evropiane.
Franca është shtyllë e Bashkimi Evropian dhe anëtar kryesor i NATO-s, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, i percepton si pengesa për ndikimin e Rusisë.
Liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, vajza e themeluesit të Frontit Kombëtar në Francë, Jean-Marie Le Pen, nga shumë persona shihet si favorite e Kremlinit në garën zgjedhore franceze.
Zonja Le Pen, 48-vjeçare, ka zhvilluar fushatë me platformë kundër imigrimit dhe kundër globalizimit, që janë në harmoni me synimin e Putinit për dobësimin e BE-së dhe NATO-s.
Fushata e zonjës Le Pen, që është shprehur për nevojën e lidhjeve më të afërta me Rusinë, pjesërisht është financuar nga burime ruse dhe ajo e ka vizituar Putinin në Moskë më 24 mars, kur fushata e saj kishte kulmuar.
Kramer: Mbështetje e hapur e Rusisë për Le Pen
“Rusia ka dhënë mbështetje të hapur direkte për Marine Le Pen në Francë, me shpresë se kjo mbështetje do ta forcojë pozitën e saj në Francë”, thotë David Kramer, drejtor për të drejta të njeriut dhe demokraci në Institutin McCain në Uashington, dhe shton se Moska “i kishte mbështetur forcat në Greqi dhe Itali”.
“Prandaj, ndërhyrja ruse në politikën e vendeve të tjera dhe në zgjedhje nuk është fenomen i ri dhe ka kaluar përtej kufijve të parë të Rusisë”, thotë Kramer.
Kandidati Francois Fillon, që ka bërë miqësi me Putinin derisa ishte kryeministër i Francës, po ashtu, dëshiron të vendosë kufizime në imigrim dhe ka kërkuar aleancë me Rusinë për luftimin e “totalitarizmit islamik”.
Ai, po ashtu, ka thënë që beson se perëndimi e ka “provokuar” Rusinë duke e zgjeruar NATO-n aq afër kufijve të saj dhe se është e pavlefshme për perëndimin të përpiqet ta bindë Rusinë për largim nga Krimeja e Ukrainës, të cilën e ka aneksuar në mënyrë ilegale në vitin 2014.
Por, dikur favorit në hulumtimet e opinionit, ish-kryeministri Fillon, 63-vjeçar, është dëmtuar nga raportet se i ka marrë 50 mijë euro, për aranzhimin e takimit ndërmjet një miliarderi libanez, një shefi ekzekutiv të naftës në Francë dhe Putinit, në vitin 2015.
Ndihmësit e Fillonit kanë pranuar se ishte marrë pagesa, por e kanë refuzuar çfarëdo keqbërje.
Melenchon, socialist veteran, i cili ka përdorur retorikë të ashpër për të bërë kërcim në hulumtime të opinionit, angazhohet për një program ekonomik, për taksa dhe shpenzime, prej 106 miliardë dollarësh, dhe ka kërkuar që Franca të tërhiqet nga NATO-ja dhe të zhvilloj negociata të reja për mbetje në Bashkimin Evropian.
Ai, po ashtu, i ka mbështetur operacionet ushtarake të Rusisë në Siri dhe Ukrainë.
Qeveria e Francës ka thënë se i merr seriozisht kërcënimet për përzierje ruse në zgjedhje. Ministri i Jashtëm, Jean-Marc Ayrault, i ka tërhequr vërejtjen Moskës në intervistën për gazetën, “Journal du Dimache”, se “ky lloj i ndërhyrjes në jetën politike franceze është i papranueshëm”.
Nga ana e saj, Moska vazhdimisht i hedhur poshtë këto akuza për ndërhyrje.
Moska i ka karakterizuar si absurde akuzat se kishte dorë në sulmet kibernetike në muajin shkurt kundër faqes zgjedhore në Internet dhe në serverët e e-mailave të kandidatit Macron.
Mark Galeotti, nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare me seli në Pragë, thotë se derisa Le Pen mund të jetë kandidati më i afërt për ta bartur etiketën ruse, asnjëri prej kandidatëve të tjerë, nuk duhet parë si të afërt me Kremlinin. /rel/