Presidenti rus, Vladimir Putin, në një intervistë me gazetarin amerikan, Tucker Carlson, tha se Moska duhej të mbronte Serbinë gjatë luftërave të viteve 1990.
Megjithatë e vërteta është krejt ndryshe. Rusia më pas vendosi sanksione ndaj Serbisë, ashtu si vendet perëndimore, por armatosi edhe Kroacinë, shkruan nova.rs.
“Sapo filluan ngjarjet në Jugosllavi, Boris Jelcin (presidenti i ndjerë rus) ngriti zërin në mbështetje të serbëve; ne nuk mund të mos i mbronim serbët, sepse serbët janë një popull i veçantë dhe i afërt për ne, me kulturë ortodokse. Ky është një popull që ka vuajtur me breza të tërë”, tha udhëheqësi rus në një intervistë me Tucker Carlson, duke deklaruar se NATO e preu në besë Rusinë pasi kishte premtuar se nuk do të shtrihet në lindje, e cila është në qendër të konfliktit aktual me Ukrainën.
Si gënjeu Putini
Mjafton një rishikim i shkurtër i së kaluarës për të vërtetuar se presidenti i Rusisë nuk po thotë të vërtetën kur flet për “mbështetjen” që Rusia i dha Serbisë gjatë luftërave të viteve 1990.
Jo vetëm që mungonte kjo mbështetje, por Moska vendosi edhe sanksione ndaj shtetit serb në vitin 1992, kujton më tutje mediumi serb.
Pastaj Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi tri rezoluta, të cilat ndalonin importin e mallrave nga Republika Federale e Jugosllavisë, por edhe eksportin nga RFJ. Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, kishte të drejtën e vetos, por nuk e shfrytëzoi atë, përkundrazi mbështeti sanksionet ndaj Serbisë.
Tashmë dihet se në fillim të viteve nëntëdhjetë, Federata Ruse ishte gjithashtu aleate ushtarake e Kroacisë. Më saktësisht, gjatë embargos së armëve, Rusia armatoste Kroacinë.
Nikola Luniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Politika Strategjike, në një tekst autorial për të përjavshmen “Vreme” deklaroi se Zagrebi mori sistemin kundërajror S-300 nga Rusia, i cili u shfaq edhe në paradën ushtarake në Zagreb në vitin 1995. Por, përveç këtij sistemi, Rusia u ofroi kroatëve gjithçka përveç raketave balistike bërthamore.
“Kështu, në atë kohë nga Rusia apo me ndërmjetësimin e saj, Kroacia mori edhe 18 helikopterë transportues Mi-17, 12 helikopterë luftarakë Mi-24 të njohur si “Karroca e Djallit”, 40 aeroplanë luftarakë/përgjues MiG-21. Gjithashtu edhe një seri të armëve dhe pajisjeve ushtarake të sofistikuara (OJQ) si sistemet antitank Fagot, raketat antitank Sturm, raketat kundërajrore R-60 dhe raketat S-5”, ka pohuar Luniq.
Rusia e nderoi Tugjmanin
Gjatë luftës së fundit, Rusia armatosi Kroacinë dhe jo Serbinë. Këtë e konfirmoi Marin Tomuliq për “Veçernji list” të Zagrebit, të cilin gazeta e prezantoi si “pranuesin e armatimit”.
“Rusët na furnizuan me armë me kërkesë të Francës. Unë jam dëshmitar i kësaj”, tha Tomuliq.
Interesant është edhe fakti se në nëntor të vitit 1996, presidenti i atëhershëm rus, Boris Jelcin, e ka dekoruar Franjo Tugjmanin me “Medaljen e Zhukovit” “për kontributin aktiv në fitoren ndaj fashizmit”.
Gjithashtu, Vladimir Putin e ka shpërblyer Stjepan Mesiqin në vitin 2005 për kontributin që populli kroat dhe Kroacia si vend dhanë në fitoren përfundimtare ndaj fashizmit. /Telegrafi/