Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka bërë një adresim të parë pas “kryengritjes” së grupit mercenar Wagner.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai tha se pjesëtarët e Wagner që morën pjesë në “kryengritje”, mund t’i bashkohen ushtrisë ruse, të kthehen në shtëpitë e tyre ose të shkojnë në Bjellorusi.
“Ne e dimë se shumica dërrmuese e luftëtarëve dhe komandantëve të grupit Wagner janë gjithashtu patriotë rusë, të përkushtuar ndaj popullit dhe shtetit të tyre. Ata e dëshmuan këtë me guximin e tyre në fushën e betejës”, citohet të ketë thënë Putin.
Ai iu drejtua forcave Wagner duke thënë: “Sot ju keni mundësinë të vazhdoni t’i shërbeni Rusisë duke nënshkruar një kontratë me ministrinë e mbrojtjes ose agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, ose të ktheheni te familja dhe miqtë tuaj”.
Ai shtoi: “Kushdo që dëshiron mund të shkojë në Bjellorusi. Premtimi që kam bërë do të realizohet. E përsëris, zgjedhja është e juaja, por jam i sigurt se do të jetë zgjedhja e ushtarëve rusë që e kanë kuptuar gabimin e tyre tragjik”.
Sipas tij, kryengritja ishte “e dënuar të dështonte” dhe se “organizatorët e saj, edhe pse humbën ndjenjën mes të drejtës dhe të gabuarës, nuk mund të mos e kuptonin këtë”.
Putin gjithashtu pretendoi se Ukraina ishte e përfshirë në ngjarjet e fundjavës dhe e quan revoltën “hakmarrje për kundërsulmin e tyre të dështuar”. /Telegrafi/