Rusia do të zhvillojë raketa tani të ndaluara nën traktatin e Forcave Bërthamore nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin të dalin nga pakti i kontrollit të armëve dhe do të fillojnë të prodhojnë armë të tilla. Kështu tha Presidenti Vladimir Putin.
Shtetet e Bashkuara i dorëzuan Rusisë një ultimatum 60-ditor të martën për t’u rikthyer në kuadrin që përcakton traktati, pasi Uashingtoni thotë ky i fundit është shkelur dhe thekson se do të detyrohet të fillojë një proces gjashtëmujor tërheqjeje, nëse asgjë nuk ndryshon.
Putin, në komentet televizive, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po fajësojnë Rusinë për shkelje, për ta përdorur më pas këtë si pretekst për vendimin e Uashingtonit për të dalë nga pakti.
Putini vuri në dukje se shumë vende prodhojnë raketa të ndaluara sipas traktatit të INF, por që Moska dhe Uashingtoni kanë marrë përsipër të kufizojnë veten me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 1987, transmeton tch.
“Tani duket se partnerët tanë amerikanë besojnë se situata ka ndryshuar aq shumë sa që Shtetet e Bashkuara duhet të kenë gjithashtu një armë të tillë. Cila është përgjigja jonë? Është e thjeshtë: nëse ata dalin nga pakti, do ta prodhojmë edhe ne këtë armë”, tha ai.