Presidenti rus Vladimir Putin tha se ai është i hapur për t’i ofruar SHBA-së akses në minerale të rralla, duke përfshirë edhe në ato në Ukrainë.
Kjo deklaratë vjen pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ka shtyrë vazhdimisht që Ukraina të heqë dorë nga disa nga mineralet e saj në këmbim të mbështetjes, në një marrëveshje që aktualisht është duke u finalizuar.
Në një intervistë televizive shtetërore, Putin tha se ishte gati t’i “ofrojë” burime partnerëve amerikanë në projekte të përbashkëta, duke përfshirë minierat në “territoret e reja” të Rusisë – një referencë për pjesët e Ukrainës lindore që Rusia ka pushtuar që nga fillimi i agresionit tre vjet më parë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Putin tha se një marrëveshje e mundshme SHBA-Ukrainë për mineralet e rralla nuk ishte një shqetësim dhe se Rusia “pa dyshim ka, shumë më shumë burime të këtij lloji sesa Ukraina”.
“Sa i përket territoreve të reja, është e njëjta gjë. Ne jemi gati të tërheqim partnerë të huaj në të ashtuquajturat të reja, në territoret tona historike, të cilat janë kthyer në Federatën Ruse”, tha Putin.
Ai sugjeroi gjithashtu se Rusia dhe SHBA-ja mund të bashkëpunojnë për prodhimin e aluminit në Krasnoyarsk, Siberi, ku një prodhues rus i aluminit, Rusal, ka shkritoret e tij më të mëdha.
Raportohet se këto komente pasuan një takim të kabinetit mbi burimet natyrore të Rusisë. /Telegrafi/