Site icon Telegrafi

Putin mbërrin në Teheran për bisedime me Turqinë dhe Iranin për Ukrainën – do të ketë një takim ‘kokë më kokë’ me Erdogan

Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Teheran në vizitën e tij të dytë jashtë Rusisë që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.

Atje, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, me homologët e tij nga Turqia dhe Irani ai do të zhvillojë bisedime për heqjen e bllokadës së grurit të Ukrainës, të ardhmen e Sirisë dhe shanset për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit.

Bisedimet trepalëshe të presidentit rus me Ebrahim Raisi të Iranit dhe Recep Tayyip Erdogan të Turqisë do të paraqiten nga Kremlini si një shenjë e ndikimit të vazhdueshëm të Putinit në rajon, pas vizitës së fundit në Lindjen e Mesme nga presidenti amerikan, Joe Biden, shkruan The Guardian.

Veç kësaj, të tre liderët pritet të takohen edhe me njëri-tjetrin në mënyrë dypalëshe.

Erdogan do të kërkojë një sinjal nga Putin se ai është i gatshëm të heqë bllokadën detare ruse që parandalon daljen e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi.

Turqia, një anëtare e NATO-s, ka një përgjegjësi të veçantë sipas Konventës së Montreux të vitit 1936 për trafikun detar që hyn në Detin e Zi.

Ajo po propozon që Rusia të lejojë anijet ukrainase të grurit të largohen nga Odesa në rrugët e përcaktuara për sa kohë të bëhen kontrolle që anijet nuk mbajnë armë.

“Çështja e dërgesës së grurit ukrainas do të diskutohet me Erdoganin… Ne jemi gati të vazhdojmë punën në këtë rrugë”, ka thënë të hënën Yuri Ushakov, këshilltar i Putinit për politikën e jashtme.

Agresioni rus mbi Ukrainë – furnizuesi kryesor në botë i grurit – ka bërë që çmimet e grurit të rriten në të gjithë botën.

E Hulusi Akar, ministri turk i mbrojtjes, ka thënë se Rusia, Ukraina, Turqia dhe OKB-ja do të nënshkruajnë një marrëveshje këtë javë për korridorin e eksportit të grurit pas bisedimeve në Stamboll.

Një qendër koordinimi do të hapet në Stamboll që do të lejojë rrugëtimin e këtyre eksporteve nëpërmjet Detit të Zi.

Bisedimet mund të prekin gjithashtu përvojën e gjatë të Iranit për anashkalimin e sanksioneve të SHBA-së dhe nëse ka hapësirë për bashkëpunim midis Moskës dhe Teheranit “për të mposhtur” masat e SHBA-së.

Vizioni afatgjatë është që të dy vendet të reduktojnë varësinë nga dollari për tregti, por në afat të shkurtër mund të ketë diskutime mbi blerjen e dronëve iranianë nga Rusia për përdorim në Ukrainë.

Për Sirinë, tre garantuesve të procesit të paqes pritet t’i bashkohet edhe ministri i jashtëm sirian, Faisal al-Miqdad.

Turqia mbështet grupet e opozitës dhe po kërcënon një ofensivë të re në Sirinë veriore, një veprim i kundërshtuar nga Teherani dhe Moska. /Telegrafi/

Exit mobile version