Telegrafi

Pushtimi i Shqipërisë dhe letra e Duçes që Hitleri nuk e mori kurrë

Fyhrer! – Të njëjtat nevoja kombëtare që i janë prezantuar Gjermanisë së Madhe në Evropën Qendrore, ngrenë kokë me urgjencë sot, me të njëjtën domosdoshmëri arrogante, edhe për Italinë fashiste! Kështu shkruante Mussolini pak ditë para se të niste aksionin për pushtimin e Shqipërisë, në një letër drejtuar Hitlerit, të redaktuar nga Filippo Anfuso, shefi i kabinetit të Ministrisë së Jashtme fashiste, të cilën e drejtonte promotori i ndërhyrjes italiane në Shqipëri, Galeazzo Ciano.

Armand Plaka

Kjo kishte ndodhur më datë 15 mars 1939, dhe fakti merret vesh nëse i hedh një sy dokumenteve arkivore të shërbimit diplomatik të Ministrisë së Jashtme italiane, të përmbledhura në disa volume të botuara për herë të parë në vitin 1953 (shih: Ministero degli Affari Esteri, “I documenti diplomatici italiani”, ottava serie, 1935-1939, Volume XIII, faqet 366-367 dhe 376-377).

Por, ajo që duket më interesante është fakti se – sipas këtyre dokumenteve – rezulton që kjo letër të mos jetë dërguar fare në Berlin, pasi Duçja (Benito Mussolini) ishte akoma në mëdyshje nëse duhej dhe kur duhej nisur aksioni për pushtimin e Shqipërisë. Po në këtë volum gjejmë edhe përmbajtjen e dy telegrameve të dërguara për ambasadorin (ministrin fuqiplotë) italian të kohës, në Tiranë, nga Konti Ciano, i cili duket se brenda dy ditëve kundërshtonte vetveten, ndërsa ndodhej në një situatë mes xhelozisë për hapat më të fundit që kishte ndërmarrë Gjermania naziste (pasi kishte arritur të pushtonte me një sulm “blic” të gjithë territorin çekosllovak, duke thyer vendimet e Konferencës së Mynihut, të shtatorit 1938), dhe euforisë e padurimit për të përmbushur ëndrrën e tij të moçme, me nuanca aventureske.

Jo shumë kohë më parë, mbërrijnë në Romë edhe shqetësimet e ambasadorit italian në Berlin, i cili lajmëronte qendrën se shqiptarët ia kishin bërë të ditur Berlinit interesin e tyre për t’u afruar hapur me Berlinin, e bashkëpunuar në shumë fusha, duke anashkaluar Romën, çka e kishte frikësuar këtë të fundit dhe e kishte bërë, me shumë gjasa, që të përshpejtonte veprimet e saj e të vinte në lëvizje rrjetin e saj të pasur agjenturor, duke urdhëruar madje deri në atentate me pasojë eliminimin fizik ndaj ish-monarkut shqiptar. Në fakt, siç dihet, marsi i vitit 1939, përkon me një periudhë të vrullshme komunikimi mes Romës dhe Jacomonit, për të përgatitur atë që në më pak se tri javë do të bëhej realitet.

Konti Ciano, i cili paradoksalisht do të përshkruhej më vonë edhe si njëri ndër eksponentët e Boshtit nazifashist që do të përpiqej më shumë nga të gjithë për të mënjanuar luftën në Evropë, ishte akteri kryesor në përshpejtimin e hapave për pushtimin e Shqipërisë dhe shënimet në ditarin e tij të famshëm (botuar në SHBA për herë të parë në anglisht, në vitin 1946), përkojnë me dokumentet arkivore të shërbimit diplomatik italian.

Ndërkohë që Mussolini përpilonte me nota groteske letrën për homologun e tij në Berlin, Ciano i shkruante Jacomonit ndër të tjera: …përgatit me urgjencën më të madhe një lëvizje kryengritëse në kufinj modestë që të na shërbejë si pretekst për të ftuar flotën, aviacionin apo edhe reparte për zbarkim. Me telegrafo sa më shpejt kur dhe si e gjen të mundshme krijimin e trazirave të para dhe rri në pritje të telegramit tim të radhës, me anë të të cilit do të jap instruksione për të proçceduar me aksionin (shih po aty: Il Ministro degli Esteri, Ciano, al Ministro a Tirana, Jacomoni, T. S.N.D. 4058/20 P.R.1. Roma, 15 marzo 1939, ore 11,55 ).

Vetëm një ditë më vonë, pas takimit që kishte pasur me Duçen, ai i shkruan sërish Jacomonit një telegram fare të shkurtër, ku e porosit: Në lidhje me telegramin tim, nr. 201, pezullo, – theksoj – pezullo çdo aksion dhe më lajmëro ( shih po aty: Il Ministro degli Esteri, Ciano, Al MInistro a Tirana, Jacomoni, T. S.N.D. URGENTISSIMO 4163/21 P.R. Roma, 16 marzo 1939, ore 10,45.)

Gjithçka sipas kujtimeve të Cianos kishte ndodhur sepse: Mussolini më thërret në Vilën Torlonia në orën 9 të mëngjesit. Duket se ka një çehre të lodhur. Thotë se kishte reflektuar shumë gjatë natës e më thotë se kishte arritur në përfundimin për ta shtyrë aksionin ndaj Shqipërisë, para së gjithash, sepse kishte frikë se kjo gjë do të shkaktonte reagimin jugosllav, do të favorizonte një pavarësi kroate nën mbrojtjen gjermane. …A ia vlen barra qeranë t’i shkojmë pas këtij rreziku duke marrë Shqipërinë, të cilën mund ta kemi në dorë në çdo moment tjetër që duam. Shoh se Mussolini nuk ka ndërmend t’i japë rrugë kësaj çështje: është e kotë të këmbëngulësh. Do t’i jap urdhër Jakomonit të pezullojë gjithçka. Do të kërkoj një takim të posaçëm me Duçen, në të cilin ai të më japë arsyet për këtë tërheqje”. ( shih: The Ciano Diaries, 1939-1943, New York, 1946, fq. 38-39 )

Mbi këtë debat, mund të jetë vërtitur prej kohësh një enigmë, duke e trajtuar si një pyetje të Duçes për dhëndrin e tij, Cianon, përgjigjen ndaj të cilës ky i fundit, sipas studiuesit Kastriot Myftaraj (shih: Nata pa gjumë e Mussolinit për Shqipërinë, “Prilli që nisi në idet e marsit: Konti Ciano dhe ngjarjet enigmatike që çuan në pushtimin e Shqipërisë në 1939”, Tiranë 2011) nuk ishte i aftë ta jepte. Në këtë linjë, sipas tij, paaftësia e Cianos për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, tregonte se ideja për pushtimin e Shqipërisë ishte futur nga të tjerët në kokën e tij. Ai flet në librin e tij për interesa të fshehura amerikane dhe britanike, të cilët tek Galeazzo Ciano kishin gjetur paradoksalisht njeriun e duhur për të vënë në jetë plane në dukje të mistershme, që përmbysin imazhin që ne për dekada të tëra kemi pasur në kokë mbi rolin e fuqive aleate në pushtimin italian të Shqipërisë.

Sipas dokumenteve arkivore të shërbimit diplomatik italian, takimi i sipërpërmendur nga Ciano me Musolinin për këtë çështje, nuk ndodhi. Kjo ndoshta e përforcon edhe më shumë idenë se Ciano tashmë i druhej vullnetit të Duçes, i cili për një mori arsyesh tashmë, dihet se të paktën në kohën kur ndodhi, nuk ka pasur kurrfarë dëshire ta pushtojë Shqipërinë. Përtej këtyre mëdyshjeve, hezitimi i Duçes për ta ndërmarrë këtë veprim, tashmë vërtetohet edhe më mirë nga letra e tij për Hitlerin, e cila mbeti vetëm një copë letër pa adresë, zverdhur arkivave, por që gjithsesi, në terma praktikë, do të gjente zbatim shumë shpejt, nxitur jo vetëm nga veprimet e Gjermanisë, të cilat e kishin xhelozuar shumë Duçen, duke bërë që rrota e historisë, tashmë, jo vetëm për Shqipërinë, të ndryshonte radikalisht.

Më poshtë përmbajtja e projekt-letrës së ish-diktatorit fashist italian, Benitto Mussolini, për Hitlerin, datë 15 mars 1939:

* * *

Kryetari i Qeverisë, MUSSOLINI,

Për Kancelarin Gjerman, HITLER

Projekt-Letër. Romë, më 15 mars 1939.

Nevojshmëria që ju shtyu për t’i dhënë jetë qeverisë së Çekosllovakisë e që së fundmi ju bëri të dërgoni trupat gjermane atje ku lypej të rivendosej rendi, ka hasur në solidaritetin e plotë të popullit Italian dhe mirëkuptimin e gjallë të fashizmit italian e timin, gjithashtu.

Në ngjarjet aktuale, forca operative e Boshtit merr kësisoj një konfirmim më të dukshëm për aq sa mund të vilet si pasojë brenda një kohe të shkurtër nga fitorja e Mynihut, përballë riarmatosjes demonstrative të Francës dhe Anglisë, të përjashtuara në çdo mënyrë, nga këto vendime jetike për Evropën. Italia fashiste, e cila sheh në ngjarjet që lidhen me Evropën Qendrore, efektin e politikës së drejtë dhe të paekuivoke të dy fuqive të Boshtit, kërkon me një padurim të justifikuar, të arrijë aspiratat e saj legjitime.

Përveç pretendimeve historike kundrejt Francës, të kuptuara thellësisht nga masat tona popullore, realizimi i të cilave ka një shtrirje më të gjerë, e nuk mund të konsiderohet në këtë moment çështje aktuale, një pyetje ka formuar gjithmonë objektin e interesimit tim pasionant dhe ka prekur fort zemrën e kombit italian; Dua të flas për Shqipërinë. Shënjuar në mënyrë virtuale në kufinjtë e caktuara nga fuqitë e mëdha në vitin 1921, ky rajon, i cili në çdo gjë i detyrohet pikësëpari punës dhe kapitaleve italiane, është braktisur nga sundimtarët e kohës, nën presionin e partive të ekstremit të majtë.

Qysh atëherë, kombi italian nuk e ka harruar poshtërimin që i është bërë dhe ka vazhduar të kryejë me zgjuarsi një politikë depërtimi në Shqipëri, e cila ka hasur në simpatinë e pjesës së zgjedhur të popullit shqiptar. Është pikërisht kjo pjesë e mirë e popullit shqiptar, e cila vazhdimisht i ka bërë jehonë – me anë të dëshmive të panumërta të përkushtimit dhe besnikërisë – pranisë së Italisë fashiste në ato toka. Prijësi i një tribuje, që tashmë quhet “Mbreti i shqiptarëve”, është një i huaj në një vend ku Italia mbështetet bujarisht nga popullatat që nuk mund ta ndjejnë veten të plotësuar në vetvete e që presin të shpëtojnë nga zgjedha që i ka rënë mbi kokë dhe nga një ekonomi primitive, të cilën qeveria fashiste po përpiqet në mënyrë paqësore ta verë në shina, në një vend ku gjuha dhe civilizimi i Romës, janë veçse gjurmët e këmbëve të progresit.

Hyrja e Italisë në Shqipëri, do të duhej të ndodhte vetëm sa për të hequr qafe ekzistencën e një kaste artificiale dhe për të rikthyer në bashkëjetesën natyrale me Italinë, atë që përkujdesja e qeverisë fashiste ka bërë që të konsiderohet si një provincë e jona, mbetur në anën tjetër të Adriatikut.

Fyhrer!

Të njëjtat nevoja kombëtare që i janë prezantuar Gjermanisë së Madhe në Evropën Qendrore, ngrenë kokë me urgjencë sot, me të njëjtën domosdoshmëri arrogante, edhe për Italinë fashiste!

Nga njëra anë, populli italian që dëshiron në të njëjtën kohë, të demonstrojë dhe të përfaqësojë forcën e Boshtit, e nga ana tjetër, detyrimi ynë që t’i përmbahemi apeleve të bëra nga krerët e shqiptarëve, që për shkak të riorganizimit logjik aktual që po ndodh në pjesën tjetër të Evropës, duan të përfitojnë për të mundur të vazhdojnë nën hijen e flamurit italian, atë bashkëpunim që në çdo kohë nuk ua kemi kursyer.

Është për këto arsye, dhe duke shprehur besimin se aksioni i ndërmarrë nga Italia në Shqipëri, shkon paralel me veprimin aktual të Gjermanisë dhe konform frymës së Boshtit, unë kam marrë masat e duhura të karakterit ushtarak, pasi ato përputhen me apelin e krerëve shqiptarë dhe vendosin në Shqipëri regjimin e drejtësisë, të cilin popullsitë e atjeshme e presin e që do të përshëndetet nga populli italian si një vepër e llogjikshme riparimi, dhe si një shenjtërim i të drejtave kombëtare, për të cilat Gjermania dhe Italia kanë ndërmarrë një mision, për të cilin, ne të dy, kemi dashur t’i kushtojmë një miqësi të thellë dhe të pavdekshme.

Fyhrer!

Italia fashiste, e ndërgjegjshme se po vepron në interes të popullit shqiptar, do të përpiqet t’i sigurojë atij, sa më shpejt të jetë e mundur, kushtet legjitime, të cilat ai i aspiron, dhe për këtë qëllim do të marrë masa për nisjen e një aksioni, për të cilin suksesi do të përmbushet plotësisht, falë solidaritetit të vendeve që tek populli italian shohin shprehjen e traditave të tyre më të mira civilizuese. Para së gjithash, Gjermania naziste, e cila së bashku me Italinë kanë luftuar shumë dhe fituar sprova të forta ndërkombëtare, mund t’i qëndronte në krahë në këtë aksion dhe në një moment kaq të rëndësishëm.