Site icon Telegrafi

Pushtimi romak i Shkodrës

Foto: Ilustrim

Lutfi Alia

Mbreti Genci doli hapur kundër Romës. Ai nuk pranoi t’i nënshtrohet, nuk bëri as kompromise me Romën, por mblodhi ushtrinë dhe vendosi të hynte në luftë, duke e zgjedhur si të vetëmen rrugë për mbrojtjen e integritetit dhe të pavarësise politike të shtetit të Ilirisë.

Kundër Gencit u radhit dhe aristokracia ilire filoromake. Në këtë situatë përfituan fiset dalmate dhe daorse në veri të mbretërisë, që u shkëputën nga varësia e Gencit.

Kur pa se Genci u radhit tërësisht krah Maqedonisë, Perseu i tërhoqi mesazherët dhe nuk ia pagoi shumën e 300 talenteve që i kishte premtuar si shperblim për aleancën kundër Romes.

Në këtë atmosferë kundërshtishë dhe tensionesh politike, filloi lufta e tretë romako -ilire, e cila ne Senatin Romak ishte deklaruar, si e vetmja luftë, që i dinin fundin para se të fillonte.

Roma dërgoi në Iliri legjionet romake të komanduar nga pretori Lucio Anicio Gallo (Lucius Anicius Gallus) dhe Maksimiliano, i biri i Paulo Emilio. Shumë qytete ilire ranë njeri pas tjetrit pa luftuar kundër romakëve.

Lucio Anicio Gallo marshoi me legjionarët dhe arriti në lumin Genusio (Shkumbini), ku u bashkua me forcat e Appio Claudio Centone, i cili ishte emëruar nga Senati përgjegjës për provincen e Ilirisë. Buze lumit Genusio u ngrijt kampi dimëror i ushtrisë romake, me të cilët u bashkuan dhe forcat ilire, që lidhën aleancë me Romën, si forcat e Bylis, të Apollonisë dhe të Durrësit.

Pretori Lucio Anicio, qëndroi në kampin e Genusio, në pritje të urdhërit për të sulmuar ushtrinë ilire.

Flota me trupat navale, të komanduara nga pretori Gn Ottavio, nga Oreo u dërgua kundër flotës ilire në Apolloni dhe Durrës. Flota e Gencit u thye dhe romakët morën nën kontroll detin Adriatik.

Mbreti Genci e kishte përqëndruar ushtrinë në Lissus dhe ndërkohë, dërgoi të vëllanë Karanancin me 1000 kembesorë dhe 500 kalorës në qytetin Caviis Durnium (Kavis), për të mobilizuar ushtarë. Banorët e qytetit Kavis, e mirëpritën Karavancin, ndërsa ata të qytetit Caravandis (Karavandi), nuk pranuan. I revoltuar nga ky qëndrim refuzues, Karavanci e sulmoi qytetin me rrethinat, vrau, dogji e plaçkiti, por dhe shumë ushtarë te tij u vranë nga banorët. Ushtria ilire mbeti e ndarë në dy pjesë.

Mbreti Genci në krye të 15,000 ushtarëve sulmoi dhe pushtoi qytetin Bassania, aleate e Romës, që ndodhej pesë milje larg Lissusit. Pas këtyre operacioneve, sapo u informua për marshimin e legjioneve Romake, mbreti Genci u tërhoq në mbrojtje dhe u mbyll me ushtrinë në kështjellën e Shkodrës.

Pjesëtarët e familjes mbretërore, nëna Euridiçe, gruaja Etleva, dy djemt Skerdilaidi e Pleurati dhe familja e të vëllait Karavanci, u strehuan në qytetin Meteone në veri-perëndim të liqenit të Shkodrës.

Ushtria romake e pretorit Lucio Anicio, i pushtoi njeri pas tjetrit qytetet ilire. Pasi morën Lissus, romakët çliruan qytetin-keshtjelle Bassania.

Në luftimet për çlirimin e Bassania kontribuan dhe forcat ilire te parthinëve të cilët dërguan 2000 këmbesorë të komanduar nga Epicado (Epikado) dhe 200 kalorës të komanduar nga Algalso.

RËNIA E SHKODRËS

Pasi morën Lissus dhe Bassania, ushtria romake rrethoi Shkodrën. Genci me ushtrinë e tij, u mbyll në kështjellë, që konsiderohej fortesa me e sigurt e mbretërisë, si për tipin e ndërtimit, ashtu dhe për vendosjen mbi një kodër shkëmbore, që i garantonte mbrojtje natyrale. Tit Livi tregon se kështjella rrethohej nga lumi Clausal (Klausal – Kiri) në lindje dhe nga lumi Barbana (Buna) në perëndim, të cilët pasi bashkohen me lumin Oriundi (Drini), derdhen së bashku në detin Adriatik.

Legjionaret romakë, në epërsi numerike ndaj ilirëve, sulmuan me egërsi në të gjitha drejtimet, por ilirët rezistuan dhe nuk lejuan të ngjiten mbi bedenat. Atëherë romakët i përqendruan forcat në hyrjen kryesore të keshtjellës dhe pasi e thyen portën me arjeta, pushtuan një nga kullat kryesore. Ushtria ilire u tërhoq në panik duke lënë 200 të vrarë në luftimet para portës të kështjellës.

Në këtë situatë të vështirë dhe i preokupuar nga humbjet në radhët e ushtrisë ilire, mbreti Genci dërgoi dy ambasadorë, qytetarët e shquar shkodranë Teutiko (Teutico) dhe Bellus (Bello), të cilët në emër të mbretit, i kërkuan pretorit një armëpushim të përkohshëm.

Pretori Lucio Anicio Gallo pranoi dhe i dha mbretit Genci tre ditë kohë, të reflektoi dhe të vendosi.

Ushtria romake u tërhoq 100 hapa larg mureve të kështjellës, qe ishte e izoluar me rrethimin e hekurt.

Romakët e lejuan mbretin Genci dhe shoqëruesit e tij të dilnin nga kështjella. Mbreti Genci, i shoqëruar nga garda pretoriane, mori një varkë në lumin Buna dhe lundroi për në Liqenin e Shkodrës.

Mbreti Genci dhe shtabi i tij, u strehuan në një vend sekret, ku së bashku me komandantët besnikë, analizuan situatën. Ndërkohë, me urgjencë dërgoi korriera, t’i transmetonin Karavancit urdhrin e mbretit, për të sulmuar ushtrinë romake, por ai kishte pak forca dhe ishte larg, andaj nuk mundi t’i vinte në ndihmë në kohën e duhur.

Maqedonët, me justifikimin se ishin të zënë në luftime me romakët e braktisën Gencin. Fiset e tjera ilire, si Taulantët, Pirustët, Dasaretët, Parthinët etj, u bashkuan me romakët dhe luftuan kundër Gencit.

Në pamundësi për ndihma nga shtetet fqinje, nga fiset ilire dhe për të shmangur humbjet e tjera të ushtarëve dhe të masakrave te mundëshme në popullatë, mbreti Genci vendosi t’i dorëzohet romakëve.

Pas tre ditësh, u kthye në Shkodër. Shkoi direkt në kampin e shtatmadhorisë të ushtrisë romake, ku takoi pretorin Luçio Aniçio Gallo.

Si e përshkruan Polibi, mbreti Genci me lot në sy, u dorëzua para pretorit romak.

Pas këtij veprimi, Genci hyri në kështjellë dhe para ushtarëve dhe banorëve, shpalli lajmin e kobshëm të humbjes së luftës me romakët. Ushtarët ilirë hapën portën dhe ia dorëzuan keshtjellën romakëve.

Në qershor të vitit 168 p.e.s, Shkodra u pushtua.

Pretori Lucio Anicio, i liroi nga burgu legatët romakë Petilio dhe Perpenna, të cilëve iu riktheu dinjitetin e rangut, të nëpërkëmbur nga ilirët.

Ditën e fitores, pretori Lucio Anicio, mblodhi shtatmadhorinë e tij dhe shtroi një banket madhështor, ku ftoi dhe mbretin Genci, të cilin e uli në krye pranë vetes dhe e trajtoi me respektet e nderimet e merituara.

Të nesërmen, pretori e dorëzoi Gencin në ruajtje të tribunit Caio Cassio (Kaio Kasio), të cilin e shpërbleu me 10 talente të arta, për shërbimin special.

Njëkohësisht, dërgoi në Mateone legatin Perpenna, në krye të një legjion ushtarësh, për të arrestuar pjestarët e familjes mbretërore, nënën Euridiçe, gruan Etleva, dy djemtë Skerdilaidi dhe Pleurati IV, Karavancin me gruan dhe fëmijët, si dhe eskortën e rojeve dhe të shërbyesve, të cilët i shoqëruan në kështjellën e Shkodrës.

Viti 168 p.e.s., shënon pushtimin romak dhe rënien e shtetit të Ilirisë.

Më 21 qershor 168 p.e.s., ndodhi eklipsi i plotë i hënës. Ilirët dhe romakët, të ndikuar nga bestytnitë e asaj kohe, e përjetuan me frikë dhe terror atë natë.

Më 22 qershor 168 p.e.s., dhjetë ditë pas rënies së Shkodrës, në betejën e zhvilluar në Pydna, Paul Emilio e shpartalloi ushtrinë maqedone, arrestoi mbretin Perseu, të cilin së bashku me familjen, i dërguan në Romë si robër lufte. Pas disa vitesh, Perseu vdiq në Rome, por nuk i dihet vendi ku e varrosën.

Në vitin 168 p.e.s., romakët i nënshtruan njëherësh Ilirinë, Maqedoninë dhe Epirin, të tre shtetet e fuqishme të gadishullit dhe në trojet e tyre u vendos sundimi romak shumë shekullor.

Një muaj pasi pushtoi të gjitha qytetet dhe kështjellat e Ilirisë, Pretori Lucio Anicio Gallo, nisi për në Romë legatin Perpenna, për të dhënë lajmin e pushtimit të Ilirise. Per kete fitore, Senati Romak urdhëroi tre ditë festë mbarëpopullore në Circo Massimo.

Pretori Lucio Anicio i propozoi Senatit Romak të ligjëronte lirinë e ilirëve, që tashmë ishte një provincë e Republikës së Romës. Gjithashtu propozoi, të përjashtonin nga taksat banorët e ishullit Issa, të qyteteve Rizon dhe Ulqin, si dhe taulantët, pirustët e parthinët, të cilët u bashkuan me romakët në luftimet kundër ushtrisë të mbretit Genci. Po ashtu kërkoi te perjashtohen nga taksat Daorset, sepse e kishin braktis ushtrinë e Karavancit dhe ishin bashkuar me romakët, ndërsa për banorët e Shkodres, Dassarenes dhe Selepitanes, propozoi të paguanin gjysmën e tributeve, qe dikur i kishin paguar mbretit Genci.

Ushtria romake çarmatosi dhe sekuestroi tërë armatimet e ushtrisë ilire, si dhe 220 anijet e flotës ilire. Me vendim të Senatit Romak, anijet u shpërndanë flotës romake të Korkyrës, Apollonisë dhe Durresit

Romakët sekuestruan pasuritë dhe thesarin e mbretit Genci, që e dërguan në Romë:

Në inventarin e kësaj pasuri kishte:

– 27 libbra ari;

– 19 libbra argjendi;

– 13 000 monedha bronxi ilire;

– 120 000 monedha argjendi ilire.

Pretori Luçio Aniçio urdhëroi, që me thesarin e mbretit Genci, të shpërblehen të gjithë ushtarët romakë, që luftuan për pushtimin e Shkodrës dhe konkretisht:

– çdo ushtar e paguan me 45 monedha argjendi;

– çdo centurion e paguan me 90 monedha argjendi;

– çdo kalorës e paguan me 135 monedha argjendi;

Gjithashtu, në vlera monetare u shpërblyen dhe aleatët, sidomos flotat ilire, që u bashkuan me romakët kundër flotes të mbretit Genci, por as Polibi dhe as Tit Livi nuk japin të dhëna konkrete.

Sipas Valerio Antias, thesari personal i mbretit Genci vlente 20 milion sesterce ari dhe argjendi, pa llogaritur sasinë e arit dhe të argjendit të arkës së mbretërisë.

Pasi i vuri në vijë punët e Ilirisë së pushtuar, pretori Luçio Aniçio, organizoi nisjen dhe lundrimin për në Romë të mbretit Genci, me nënën Euridiçe, gruan Etleva, dy djemtë Skerdilaidi dhe Pleurati, Karavancin së bashku me gruan dhe fëmijët, si dhe pretorianët dhe personelin shërbyes.

Fillimisht, familjen mbretërore e vendosën ne Spoleto, ndërsa pjestarët e gardës dhe të shërbimit i burgosën në Romë. Banorët e Spoletos, nga frika se mund të ndodhnin turbullira, protestuan për praninë e familjes të Gencit, andaj Senati urdheroi t’i internojne në IGUVIUM, ku ishin në ruajtje nga Magjistratura Iguvina.

ILIRIA PAS GENCIT

Në vitin 167 p.e.s, pretori Lucio Anicio Gallo, shpalli vendimet e senatit romak, për ndarjen e shtetit Ilir në tri njësi administrative të veçanta:

– E para me kryeqendër Lissus, shtrihej deri në jug të lumit Mat, ku ishte përfshirë dhe principata e Kandavias, të cilës romakët i dhanë emërin e ri Chunavia – Kunavia;

– Pjesa e dytë me kryeqendër Shkodra, përfshinte trojet e labeateve. Garnzioni romak i Shkodres komandohej nga veterani romak Gabinio;

– E treta, më e madhe me kryqendër Rizoni (Risinum), që perfshinte dhe Ulqinin (Olcini), shtrihej në veri deri në Narona, pra përfshinte trojet e vjetra te Ardiejve. Komandanti i garnizonit u caktua romaku G. Licinio;

Parthinët dhe Atintanët, si aleatë të Romës, mbetën nën protektoratin e Romës, ndërsa banorët e trevave, që nuk u implikuan në luftë, si bylinët, amantët, dasaretët, u lanë te organizohen si njësi administrative autonome. Senati romak vendosi, që Kunavia me bashkësitë e tjera fshatare, që u rradhitën aleate me Romën, t’i njohi statusin e principatës autonome, por të qeverisura nga veteranet e ushtrisë romake dhe jo nga dinastët vendas.

Pas pushtimit të Ilirisë, romakët ia hoqën pushtetin dinatëve vendas (Princeps Illyriorum e Princeps civitates) dhe i detyroi komunitetet ilire, që pretendonin citadinancën romake, të zbatonin institutin Fundum fieri, sipas të cilit, ishin të detyruar të pranonin tërësisht sistemin juridiko-institucional romak dhe të përdornin gjuhën latine, si gjuhë zyrtare të administratës.

Drejtimin administrativ dhe ushtarak të ilireve e morën veteranët e ushtrisë romake, të cilët Republika i shpërbleu duke i dhënë pronat e ilirëve të mundur si dhe i emëroi në drejtim të pushtetit lokal, duke i vendosur në krye të muncipium urbane dhe të civitates rurale.

Sipas mendimit të arkeologut Hasan Ceka, fisniku Bellus (Bello), të cilin mbreti Genci e dërgoi te romakët për të kërkuar armëpushimin, mund të jetë transkriptim i emërit latin Ballaeus (greqisht: Βαλλαῖος), madje Ceka mendon se Ai ishte pasuesi i mbretit Genci, fillimisht i përkrahur dhe i ngjitur në pushtet nga romakët.

Ballaeus në vitet 167 – 135 p.e.s, rezulton mbret i Ardiejve me kryeqytet Rizonin. Mbreti Ballaues kishte emetuar monedha me portretin e tij dhe në faqen e pasme me hyjneshën Diana.

Në vitet e më pasme, fillimisht në Spanjë dhe më pas në Iliri, për funksionimin e municipium u aplikua ligji i quajturi lex Flavia Municipalis, i cili e detyronte popullatën ilire të zbatonte të drejtën latine.

Exit mobile version