Site icon Telegrafi

Pushtimi i Beogradit me vetëm shtatë ushtarë gjermanë

Fritz Klingenberg

Nga: Colin D. Heaton (artikull i botuar në janar 1998, në revistën World War II)
Përktheu: Agron Shala

Kur forcat gjermane u përplasën në Ballkan gjatë pranverës së hershme të vitit 1941, ato hasën jo vetëm në rezistencën e armatosur, por edhe në terrenin e vështirë dhe motin e tmerrshëm. Dështimi i ushtrisë italiane për të bërë përparime gjatë fushatës së mëparshme dimërore në Greqi – që u pasua nga angazhimi i forcave britanike për ta ndihmuar Greqinë – e kërcënoi krahun jugor të Gjermanisë, gjë që e shtyu Adolf Hitlerin të ndërhyjë. Diktatori italian Benito Mussolini i kishte dërguar 500 mijë ushtarë në Ballkan dhe kishte humbur 63 mijë në gjashtë muajt e parë të përpjekjes së tij. Lartësitë e larta dhe kalimet malore të mbuluara me borë, deri në prill dhe madje edhe në maj, i penguan autokolonat gjermane të furnizimit dhe shkaktuan probleme të mëdha te njësitet e mekanizuara. Përforcimet nuk bëheshin aq lehtë sa do duhej. Lumenjtë dhe përrenjtë duhej kapërcyer, duhej evakuimi i ushtarëve dhe të burgosurve të plagosur, pistat ajrore të merren ose të ndërtohen dhe linjat e komunikimit të krijohen. Fitorja nganjëherë varet më shumë nga linja e sigurt dhe funksionale e furnizimit sesa nga forca superiore ushtarake.

Luftimet intensive për Ballkanin nuk ishin të ngjashme me ato që më parë ishin përballur nga Vermahti. Ky ishte takimi i parë me luftëtarët guerilë, me luftimet dimërore dhe me terrenet malore. Gjithë objektivat kryesorë duhej përmbushur, shumë shpejt, ndërsa qytetet ishin caqet kryesore. Gjermanët e prisnin kapitullimin e Greqisë, për ta lënë kryeqytetin, Athinën, si dhe portet greke në duart e gjermanëve. Bazat greke për forcat ajrore gjermane [Luftwaffe] dhe për marinën [Kriegsmarine] do të forconin kontrollin gjerman mbi Mesdheun verilindor dhe do të ndihmonin furnizimin e Korpusit të Afrikës. Greqia do të shërbente gjithashtu si zonë për ndalimin e anijeve britanike, si dhe do të poziciononte armët gjermane më afër Kanalit të Suezit.

Në rrugën e Gjermanisë ishte Jugosllavia e cila kryesisht ishte pro-britanike – veçanërisht kontingjentet serbe dhe cigane brenda vendit. Frika se princi Pavlle i Jugosllavisë mund të lëvizte drejt kampit fashist, e shtyu ambasadorin jugosllav në Uashington t’ia dërgojë një thirrje të zjarrtë Beogradit, duke e lutur princin që të mos dorëzohej para Hitlerit. Mbreti George VI i Britanisë, së bashku me kryeministrin Winston Churchill, i dërguan mesazhe princit Pavlle dhe kryeministrit jugosllav Dragisha Cvetoviq. Churchilli parashikoi se nëse Jugosllavia “do të bëhej bashkëpunëtore në vrasjen e Greqisë, shkatërrimi i saj do të ishte i sigurt dhe i pakthyeshëm”.

Më 20 mars, princi Pavlle zyrtarisht njoftoi se vendi i tij do të bashkohej me Paktin Trepalësh të Boshtit. Kur u takua me ambasadorin amerikan Arthur Bliss Lane, Pavlle deklaroi se nëse nuk bashkohen me Boshtin, nuk mund të ketë mbështetje nga kroatët në pushtimin që patjetër vjen.

Më 24 mars 1941, kryeministri Cvetoviq dhe ministri i jashtëm Cincar-Markoviq u nisën për në Vjenë për ta nënshkruar paktin – duke u larguar në fshehtësi nga frika e reprezaljeve publike. E nënshkruan marrëveshjen më datën 25, pastaj u kthyen në shtëpi. Në Beograd mësuan për një puç që nisi në mbrëmjen e datës 26. Oficerët ushtarakë dhe trupat antifashiste kapën bazat ajrore, aeroplanët dhe ndërtesat qeveritare, duke rrëzuar – brenda nate – qeverinë e dobët jugosllave. Forcat revolucionare pushtuan qendrat e radios dhe telefonit, ndërtesën e Ministrisë së Luftës, selinë e Policisë dhe postën kryesore. Cvetoviqi u arrestua. Princi Pavlle u kap në Zagreb ku po udhëtonte me tren dhe u detyrua të abdikojë – duke e lënë mbretin e ri Petar si monark kukull.

Qeveria e re njoftoi se do të jetë besnike ndaj Paktit Trepalësh, pasi kuptoi se Britania dhe Shtetet e Bashkuara, megjithëse e mbështesnin, nuk ishin në gjendje për të dhënë ndihmë kundër sulmit gjerman. Megjithatë, Hitleri nuk u qetësua. Pikërisht ditën që ndodhi puçi në Jugosllavi, e urdhëroi komandën e lartë të planifikojë pushtimin e plotë të vendit. Më 6 prill 1941, ministri i Jashtëm gjerman, Joachim von Ribbentrop, dha urdhrin që të zbatohet sulmi kundër Jugosllavisë.

Bullgaria tashmë ishte aleate dhe e pushtuar nga gjermanët, ndërsa shumë divizione kaluan nëpër atë vend në rrugën e tyre për të pushtuar vendet më në jug. Në mënyrë që gjermanët të siguronin krahun e tyre të majtë dhe rrugët e nevojshme të furnizimit për pushtim të mëtejmë, Jugosllavia shpejt duhej nënshtruar. Divizionet LSSAH [1. SS-Panzerdivision “Leibstandarte SS Adolf Hitler”] dhe DR [2. SS-Panzerdivision “Das Reich”] – së bashku me trupat malore dhe njësitë shtesë të blinduara dhe të këmbësorisë – do të kalonin nëpër Serbi. Beogradi, kryeqyteti jugosllav, ishte objektivi më i rëndësishëm dhe, për ta dobësuar qytetin, komanda e lartë gjermane planifikoi bombardimin dyjavor të ndjekur nga sulmet masive të artilerisë dhe të mjeteve të blinduara. Gjermanët synonin të angazhonin pesë divizione këmbësorie, për ta kontrolluar qytetin pas pushtimit. Megjithatë, ngjarjet dëshmuan se edhe planet më të mira të betejës ndonjëherë parandalohen – dhe ndonjëherë në rrethanat më të pazakonta.

Beogradi i vuajti disa ditë të sulmeve të artilerisë dhe tri ditë të bombardimeve ajrore të cilat shërbyen për ta zbutur kryeqytetin jugosllav. Por, qyteti u pushtua më 12 prill 1941 – shumë më herët sesa kishte parashikuar Komanda e Lartë – nga një grusht trupash me municion të dobët dhe me moral të lartë, të udhëhequr nga njeriu që s’kishte frikë të kapte mundësinë kur atë e shihte.

Sulmi shumë joortodoks ishte produkt i gjykimit ushtarak, guximit të madh dhe thjesht fatit të kapitenit të Vafen SS-it [Waffen SS], Fritz Klingenberg. 26-vjeçari Klingenberg, i diplomuar në akademinë e oficerëve në Bad Telc [Bad Tölz], e kishte fituar reputacion e personazhit kokëfortë, disi të bezdisshëm. Gjatë fushatës franceze një vit më parë, ish-komandanti i tij i kompanisë për të kishte thënë: “Klingenbergu është inteligjent, por kokëfortë, besnik ama i gatshëm për t’i korrigjuar eprorët, brilant nën presion, por arrogant deri në pikën e mosbindjes”. Vlerësimet si ky e etiketuan Klingenbergun më shumë si rebel sesa si oficer kompetent ushtarak.

Klingenbergu nuk ishte pijanec kronik apo fjalaman dhe kurrë nuk u mburr për arritjet e veta. Kur më vonë u pyet nga studentët në Bad Telc se si e kishte pushtuar kryeqytetin e një vendi, ai thjesht tha: “Nuk isha shumë i angazhuar në atë kohë dhe e gjeta një punë për ta kryer”.

Klingenbergu në gjithë karrierën e vet kishte shërbyer në trupën elitare të divizionit DR dhe pushtimi i Francës ishte pagëzimi i tij me zjarr. Për heroizmin gjatë atij aksioni iu dha Kryqi i Hekurt i Klasit të Dytë. Toga e tij u mbërthye nga zjarri i tmerrshëm i mitralozit, kur një tank i lehtë Pancer II [Panzerkampfwagen Mark II] që i mbronte, kaloi mbi një minë. Ekuipazhi u bllokua në automjetin që digjej dhe goditej nga zjarri i mitralozit. Teksa njerëzit e tij i shpëtuan tankistët, Klingenbergu vrapoi 100 metra në tokë të hapur, duke eliminuar – me granata – pozicionin francez të përbërë nga tre ushtarë. Nuk mori asgjë më shumë sesa një gërvishtje.

Sulmi ndaj artilerisë, nga Klingenbergu gjatë asaj beteje, ishte unik dhe mbresëlënës. Një herë, gjatë fushatës franceze e mbijetoi zjarrin vdekjeprurës të 88 të milimetërshve në pozicionin e vet, për të mposhtur kështu kundërsulmin e armikut. Ky veprim mundësoi që gjithë kolona gjermane të ecte përpara, duke përfituar nga konfuzioni i francezëve. Gjatë një angazhimi tjetër, i thirri bombarduesit ajror Stuka [Junkers Ju 87] në pozicionin e vet për ta ndaluar tërheqjen e armikut, gjë që rezultoi në kapjen e 55 të burgosurve. Për atë veprim, komandanti në detyrë i batalionit, nënkoloneli Hannes Eckhold, ia dha kapitenit të ri Kryqin e Hekurt të Klasit të Parë. Vlerësimet për Klingenbergun vazhduan të pasqyrojnë kokëfortësinë e përzier me guxim dhe kreativitet. Për shkak se dilte gjithmonë i padëmtuar nga flirtet e tij të shumta me vdekjen dhe me gjyqet ushtarake, njerëzit e tij nisën ta quajnë “Magjistar”. Klingenbergu gjithashtu fitoi famë si furnizues i klasit të parë. Çfarëdo që njerëzit e tij kishin nevojë – municion, ushqim, ujë etj. – ai arrinte t’i ketë. Klingenbergu madje e mbajti një shkollë për këtë, duke i mësuar burrat që për mbijetesë duhet të vjedhin gjërat thelbësore. Menjëherë pas mbërritjes në Jugosllavi, u gradua në kapiten dhe iu dha komanda e një njësie të motoçikletave të zbulimit, e cila ishte përgjegjëse për mbledhjen e shpejtë të informatave dhe ruajtjen e komunikimit me njësitet e pasme. Njerëzit e tij e mbanin rekordin e divizionit për ankesa dhe për raportet e vjedhjeve. Në fakt, ata u quajtën “kriminelët e Klingenbergut”. Por, Magjistari mirë i kishte mësuar ata – asnjë akuzë kundër njerëzve të tij, kurrë nuk u vërtetua.

Në një rast, njësia e Klingenbergut duhej të inspektohej nga divizioni për shërbimin e automjeteve dhe, për ta kaluar testin, duhej të siguronte një duzinë të motoçikletave të shërbimit. I kishte gjashtë më pak, kështu që i dërgoi njerëzit e vet në një mision të kërkimit të furnizimeve; me qejf ose me zor, ia dolën t’i marrin pajisjet e nevojshme. Problemi i vetëm ishte se përfunduan me gjashtë mjete më shumë, të lyera rishtas për ta fshehur pronësinë e mëparshme. Oficeri komandues i Klingenbergut e bëri një sy qorr ndaj mospërputhjes. Megjithatë, e informoi Klingenbergun se nuk do të jetë i gatshëm më që të varet nga aktiviteti i vartësit të tij, ndërsa nga kapitenit kërkoi të jetë më i kujdesshëm.

Misioni tjetër i Klingenberg në Jugosllavi ishte zbulimi i hershëm i njësisë kryesore të blinduar, zbulimi i aktivitetit të armikut dhe shënjimi i rrugëve ose pengesave në harta. Këto misione të mbledhjes së informatave ishin vendimtare për një sulm të suksesshëm gjerman në rajon.

Megjithëse Beogradi ishte shënuar për pushtim, pjesa më e madhe e DR-së ishte e bllokuar duke luftuar me aksionet e praparojës dhe duke u munduar të kalonte nëpër kalimet e ngushta malore të Jugosllavisë. Ndërkohë, pjesa tjetër e ushtrisë gjermane ishte shumë mbrapa, meqë nuk përdornin as të njëjtat harta. Hitleri urdhëroi forcat ajrore që ta bombardojnë Beogradin, përpara udhëtimit përfundimtar në kryeqytet. Në datat 6-10 gusht, më shumë se 500 bombardime u kryen kundër Beogradit, duke shkaktuar më shumë se 17 500 viktima. Shumica e zyrtarëve qeveritarë ikën dhe ushtria jugosllave nisi të shpartallohet.

Më 11 prill, udhëzimet për Klingenbergun ishin të zbulonte dhe të vendoste pika kontrolli, të siguronte çdo urë dhe çdo rrugë që hasej, pastaj të priste përforcimet. Shirat e dendura dhe shkrirja e borës i vështirësuan pothuajse të gjitha sipërfaqet e buta, ndërsa urat ishin shkatërruar nga forcat jugosllave gjatë tërheqjes. Rrugët kryesore të afrimit me Beogradin nuk ishin më rrugë praktike dhe tanket do ta kishin të vështirë vazhdimin pa mbështetjen masive inxhinierike për pastrimin e zonave. Pas disa orëve të vëzhgimit të qytetit të goditur, nga ana tjetër e lumit Danub, Klingenbergu besoi se Beogradi ishte i tij, i gatshëm për pushtim – kjo për shkak të konfuzionit të shkaktuar nga bombardimet – me kushtin që njësia e tij të arrinte me kohë. I kishte vetëm 24 orë për ta paraqitur një raport në komandë dhe vendimi duhej të merrej shpejt.

Klingenbergu e kishte shansin për të hetuar më thellë në rrethinat e qytetit, kur një nga njerëzit e tij e gjeti një motobarkë të braktisur të lidhur në një pemë përgjatë brigjeve të Danubit të fryrë. Duke marrë vetëm një rreshter dhe pesë ushtarë, e kaloi lumin e trazuar. Udhëtimi ishte shumë i rrezikshëm, rrymat ishin të tërbuara nga rrjedha e borës së shkrirë nga malet dhe nga shirat e rrëmbyeshëm. Varka gjithashtu ishte e mbingarkuar. Kur arriti në anën e largët të Danubit, Klingenbergu dërgoi dy burra për të transportuar më shumë trupa përpara perëndimit të diellit. Megjithatë, në lundrimin e kthimit varka goditi një pengesë të zhytur në ujë dhe u fundos. “Marina” e Klingenbergut pushoi së ekzistuari, duke i lënë të bllokuar kapitenin dhe gjashtë njerëzit e tij. Ishin krejtësisht të izoluar – me furnizime dhe municione të kufizuara.

Skuadra përparoi gjatë rrugës dhe u ndesh me disa automjete të prodhimit britanik të drejtuara nga ushtarët jugosllavë. I zaptuan dy kamionë dhe një autobus, së bashku me rreth 20 ushtarë të armikut. Njëri prej njerëzve në autobus ishte një turist i dehur gjerman, i cili ishte bllokuar në Beograd që nga fillimi i pushtimit. Turisti, i cili fliste kroatisht, ishte kapur si spiun nga ushtarët jugosllavë dhe po dërgohej për t’u ekzekutuar. Ende ishte i dehur dhe i pavetëdijshëm për fatin e afërt. Kur u kthjell, mendoi se ishte me grupin e ahengut, derisa nuk u informua për situatën. Klingenbergu e përdori si përkthyes dhe në këtë cilësi gjermani mirënjohës ishte i dobishëm.

Burrat e SS-it vazhduan duke i përdorur të burgosurit dhe disa ushtarë të zënë për të kaluar pikat e kontrollit të armikut. Bënë përparim të mirë që në ditën e parë, pa hasur në dyshimet e rojave të të gjitha pikave të kontrollit. Rojet jugosllave i shtonin në numrin e rritur të të burgosurve që mblidhnin gjatë rrugës. Popullsia e Beogradit, pas disa ditëve të bombardimeve, e priste rrethimin e gjatë, por jo sulmin, ndërsa nga siguria e dobët përfitoi Klingenbergu.

Me të hyrë në periferi të qytetit, gjermanët u përfshinë në një përleshje dyorëshe me zjarr. Më në fund, automjetet e zaptuara i futën në qytet, bashkë me shumë të burgosur të plagosur, përfshirë turistin e pafat. Për mrekulli, asnjë nga burrat e SS-it nuk u plagos në përleshje. Përfunduan në qendër të qytetit, të vetëm dhe të rrethuar nga popullsia e hutuar që veç shikonte. E vetmja viktimë e SS-ve në Beograd ishte një ushtar që u rrëzua dhe që ndrydhi kyçin e dorës. Gjermanët u mahnitën kur panë se askush nuk i sulmoi në qytet. Civilët kryenin punët e veta të përditshme, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Klingenbergu urdhëroi rreshterin Hans Hossfelder të ngrinte ngjyrat gjermane, duke e zëvendësuar flamurin kombëtar jugosllav me flamurin gjerman – pak pas orës 17:00, më 12 prill. Nën urdhrat e Klingenbergut, njerëzit e tij nisën të sillen rreth qytetit, në patrullime, duke ua dhënë banorëve përshtypjen e pagabueshme se këta e kishin pushtetin.

Kryetari i bashkisë së Beogradit iu afrua gjermanëve, bashkë me rrethin e tij të zyrtarëve të qytetit dhe me veshjen e duhur ceremoniale. Pasi pyet se çfarë po ndodh, pyet edhe për kushtet e dorëzimit. Klingenbergu i tha kryebashkiakut se ishte ekipi kryesor i disa divizioneve të tankeve SS dhe se, nëse nuk e kontakton njësinë e vet me radio për informacionin e kërkuar, forcat ajrore do të vazhdojnë sulmet për ta rrafshuar qytetin. Ai gjithashtu tha se sulmet ajrore do të pasohen me breshëri artilerie, me sulme të blinduara dhe të këmbësorisë që askënd nuk do ta kursejnë.

Gjermanët e tjerë e shikonin udhëheqësin e tyre sikur të ishte i çmendur. Radioja e tyre ishte e dëmtuar dhe nuk mund të transmetonte, vetëm pranonte; njësia e tyre ishte në një distancë të konsiderueshme; ndërsa, u mungonte municioni dhe ushqimi. Rreshteri Hossfelder më vonë i tha kapitenit të vet se me merret zanatin e gabuar, duke shtuar se Ministria e Propagandës mund të ketë përfitime prej tij.

Kryetari i bashkisë ra pre e mashtrimit dhe pas një bisede njëorëshe me Klingenbergun, filloi përgatitjet e nevojshme për dorëzimin e qytetit. Më pas, një grup i aeroplanëve gjermanë fluturuan mbi qytet në një mision zbulimi dhe Klingenbergu përfitoi nga ai momenti. I ngriti sytë, duke e treguar qiellin, dhe ia kujtoi kryetarit të bashkisë se koha po mbaron. Klingenbergu dha fjalën se nëse do të ndiqen të gjitha udhëzimet, asnjë dëm i mëtejshëm nuk do t’i ndodhte qytetit ose banorëve. Zyrtarët e qytetit u dukën më të lehtësuar kur këtë e dëgjuan.

Ushtarët dhe milicia e qytetit u pajtuan të dorëzojnë armët, në këmbim të ndalimit të sulmeve të tjera gjermane. Ushtria jugosllave u mblodh në sheshin e qytetit dhe Klingenbergu kërkoi nga gjithë ata burra që të regjistrohen te kryetari i bashkisë. Klingenbergu më pas i urdhëroi të burgosurit të shkojnë në katër hotelet më të mëdha dhe një roje gjermane e vendosi në secilën ndërtesë. Një grusht gjermanësh sapo kishin robëruar më shumë se 1 300 trupa dhe një qytet me një popullsi prej mbi 200 mijë banorëve – pa asnjë të shtënë. Qyteti kishte pësuar dëme të konsiderueshme, por jo aq sa për të penguar banorët vendas që të vazhdojnë si zakonisht me jetën dhe punët. Ushtarët jugosllavë jashtë qytetit, të pavetëdijshëm për atë që kishte ndodhur me kryeqytetin, hynë me makina në Beograd dhe ata u urdhëruan nga eprorët që t’i linin armët, automjetet dhe të marshonin drejt hoteleve. Të gjithë jugosllavët u bindën – pa hezitim.

Klingenbergu dhe njerëzit e tij u rehatuan në hotelin më të mirë të qytetit, duke bërë radio-transmetime të rreme për ta përforcuar këtë sharadë. Grumbulluan shishe vere dhe armë dhe dy burra u zhdukën me disa gra vendase. Ndërkohë, Klingenbergu e konsolidoi pozicionin e vet, duke e ditur se gjërat mund të shkojnë keq. Nëse forca kryesore nuk mbërrin shpejt, loja kishte mbaruar. I detyroi njerëzit e vet që t’i rekrutojnë vendasit për të ndihmuar në sigurimin e çdo harte, të regjistrave policorë dhe regjistrave tatimorë të qytetit.

Shefi i policisë u urdhërua të jepte listën e gjithë kriminelëve në qytet, duke treguar krimet e tyre, moshën dhe informacionet e tjera përkatëse. Gratë infermiere duhej të paraqiteshin menjëherë në detyrë dhe të gjithë mjekët gjithashtu u thirrën. Çdo litër benzine llogaritej dhe nafta, mjetet mjekësore dhe gjërat e tjera të nevojshme u vendosën në ambiente të posaçme. Spitali duhej të ishte terren neutral dhe i gjithë kujdesi shëndetësor duhej të vazhdonte – si gjest i vullnetit të mirë. Klingenbergu madje urdhëroi që shkollat të jenë hapur dhe nuk vendosi kufizime në punët e përditshëm. Megjithatë, vendosi gjendjen e jashtëzakonshme pas orës 20:00; vetëm qytetarët me leje kalimi të nënshkruar prej tij, mund të dilnin ligjërisht jashtë shtëpive pas kësaj kohe.

Të nesërmen, më 13 prill, shumica e njerëzit të Klingenbergut që kishin mbetur në anën e kundërt të lumit, e ndoqën udhëheqësin e tyre për në qytet. Duke e parë flamurin gjerman, besuan se forca kryesore disi i kishte anashkaluar. Ata u mahnitën kur panë burrat e “humbur” që komandonin objektivat parësorë me vendasit jo armiqësorë dhe në të vërtetë bashkëpunues. Hossfelderi u tha të sapoardhurve atë që kishte ndodhur dhe i paralajmëroi të vazhdonin me këtë lojë. I treguan muskujt ushtarakë duke marrë kontrollin e çdo automjeti që mund të gjenin.

Më në fund, në natën e 13 prillit, elementët e parë të DR-së hynë në qytet duke i pritur luftimet e ashpra. I kishin shpërfillur transmetimet radiofonike për dorëzimin e qytetit, duke besuar se ishte mashtrim i armikut, ndoshta përpjekje për të joshur njësitet gjermane në një pritë. Thashethemet thoshin se Klingenbergu dhe njerëzit e tij janë robëruar, torturuar dhe se janë detyruar të japin kodet e nevojshme për komunikimet në radio. Komandanti i Korpusit XLV ishte aq i zemëruar që nuk e kishte marrë përmbledhjen e informatave, saqë kërcënoi se Klingenbergun do ta dërgojë në gjyq ushtarak – nëse gjendet i gjallë si i burgosur. Vendi i parë ku kërkoi për Klingenbergun ishte një bordello, duke menduar se atje do ta gjente kapitenin renegat. Zemërimi i komandantit të korpusit shpejt ra kur mësoi se pse komandanti i ri i kompanisë së vogël kishte qenë neglizhues në detyrat e mëparshme.

Pjesa tjetër e DR-së dhe njësitë shtesë të tankeve [Panzergrenadier] hynë me vrull në Beograd, të nesërmen, dhe në vend që të luftonin, në qytet u pritën me verë dhe djathë. Të burgosurit jugosllavë u rekrutuan për të përforcuar mbrojtjen gjermane në rast të sulmeve partizane. Mjerisht, kur kryetari e kuptoi se ishte mashtruar, e vrau veten.

Më 17 prill, Josip Broz, i njohur më mirë si Tito – sindikalisti dhe udhëheqësi i Partisë “ilegale”  Komuniste – e pranoi humbjen në Jugosllavi, por jo dorëzimin. Iku në male me partizanët e vet ku, i mbështetur nga britanikët, e zhvilloi një fushatë katërvjeçare guerile kundër pushtuesve të vendit. Më vonë bëhet president i një Jugosllavie komuniste, e cila megjithatë hodhi e poshtë lidhjen me Paktin e Varshavës të dominuar nga sovjetikët.

Klingenbergu e bindi komandantin e garnizonit të hiqte dorë nga hartat e veta dhe të zbulonte vendndodhjen e fushave të minuara dhe të armëve, si dhe antiajrorët aty pranë dhe vendosjet në pistën ajrore. U vendosën shënuesit që mund të shiheshin qartë nga ajri dhe transportuesit gjermanë mundën të zbarkojnë duke sjellë ushqime, municione dhe korrespondencat e luftës. Klingenbergu madje kërkoi që disa nga të burgosurit të riparojnë pistat e dëmtuara dhe konfiskoi disa aeroplanë të vjetruar.

Inteligjenca gjermane kishte parashikuar se përpara se Beogradi të dorëzohej, viktimat e ushtrisë jugosllave do të ishin afërsisht 10-15 mijë të plagosur dhe dy mijë të vdekur pas bombardimeve masive të forcave ajrore dhe të artilerisë, si dhe pas luftës pasuese për të hyrë në qytet. Viktimat civile parashikoheshin të jenë 10 herë më shumë se ato shifra. Klingenbergu ishte i shqetësuar për mirëqenien e njerëzve të vet, por ai ishte gjithashtu i shqetësuar për fatin e civilëve. Nuk e pa të nevojshme gjakderdhjen e mëtejshme në qytet dhe njerëzit e tij në fakt u trajtuan mirë nga civilët, të cilët e dinin se mund ta kishin pësuar shumë më të keq. Në fillim, Komanda e Lartë gjermane nuk besonte se qyteti ishte marrë. Madje u fol se Klingenbergu do të pushkatohej meqë u përpoq të falsifikonte ngjarjen. U deshën dy ditë të transmetimeve radiofonike për të bindur Berlinin se gjithçka ishte në rregull. Gjenerallejtënanti Paul Hausser u urdhërua të inspektojë.

Kur Klingenberg raportoi te eprorët e vet, për të shpjeguar se pse nuk i kishte ndjekur urdhrat, ai ishte i dehur, i parruar dhe mbante erë parfumi. Pas disa minutave, Klingenbergu tha: “Çfarë duhej të bëja, t’ua kthej qytetin”? Mospërfilljet e tij u shpërfillën dhe plani i betejës gjermane, tashmë i vjetruar, u vulos si “i përfunduar”. Udhëtimi për në Greqi ishte përpara afatit. Kostoja e gjithë fushatës jugosllave në Gjermani ishte 558 të plagosur dhe 151 të vrarë, me më pak se një duzinë të aeroplanëve të humbur. Më shumë se 340 mijë jugosllavë u zunë robër. Numri i saktë i të vrarëve nuk do të dihet kurrë.

Gjermanët lanë dhjetë nga divizionet e tyre të këmbësorisë, dy njësi SS dhe një njësi ndihmëse SS, Divizionin XIII [13. Waffen-Gebirgs-Division der SS “Handschar“ (kroatische Nr. 1)] ose Hanxhari si forcë e garnizonit pushtues në Jugosllavi. Kjo njësi përbëhej nga jugosllavët, kryesisht myslimanë boshnjakë, dhe ata e kryenin rol antipartizan. Pushtimi i Jugosllavisë konsumoi fuqinë punëtore dhe kërkoi burime të nevojshme për Frontin e ardhshëm Lindor. Më shumë gjermanë vdiqën në detyrën e tyre në garnizon në Jugosllavi sesa që ishin lënduar gjatë luftimeve për pushtim.

Çdo njeri i caktuar te Klingenbergu gjatë operacionit të Beogradit, mori dekorata për trimëri dhe promovime. Hossfelderit iu dha gradimi si toger i dytë dhe e ndoqi shkollën e oficerëve të SS-ve në Bad Telc, ku më vonë u bë instruktor. Sot jeton në Munih si mësues i pensionuar.

Për ndërmarrjen e tij të guximshme, Klingenbergut iu dha Kryqi i Kalorësit dhe u bë i preferuari i rrethit të brendshëm të SS-ëve. “Plaku”, siç u bë i njohur, shpeshherë dërgohej në Bad Telc si instruktor për taktikat dhe për iniciativën në fushën e betejës. Më 15 mars 1944, ishte i vetmi i diplomuar në Bad Telc që merr drejtimin e shkollës.

Kur filloi Operacioni Barbarosa, pushtimi i Bashkimit Sovjetik, DR u hodh në luftime. Klingenbergu më vonë u dallua në Harkiv, Minsk dhe Kursk, duke marrë lëvdata të mëdha në dërgesat e gjeneralit Heinz Guderian. Përfundimisht u dekorua me gjethet e lisit në Kryqin e tij të Kalorësit, të dorëzuar më 1943. U bë i preferuari i Paul Hausserit, komandantit të Korpusit II të njësiteve Pancer [II. SS-Panzerkorps] deri në operacionin Kursk-Orel.

Klingenberg u promovua në gradën e kolonelit më 21 dhjetor 1944. Derisa situata e Gjermanisë përkeqësohej në të gjitha frontet, u urdhërua të merrte komandën e Divizionit XVII [17. SS-Panzergrenadier-Division “Götz von Berlichingen“] më 12 janar 1945, duke marrë postin nëntë ditë më vonë. Bashkangjitur me Korpusin XIII të SS-ëve [XIII. SS-Armeekorps] të gjeneralit Max Simon, Korpusi XVII mbronte Murin Perëndimor në juglindje të Sarbrikenit kundër Korpusit XV të Ushtrisë VII të ShBA-së të gjeneralmajorit Wade H. Haislip.

Korpusi XIII i SS-ëve e kishte shpinën kah Rini, duke mbrojtur me kokëfortësi zonën midis Nojshtatit dhe Landaut. Kur rezistenca më në fund u shemb më 22 mars, Klingenbergu ishte njëri prej viktimave – kishte vdekur duke udhëhequr divizionin e tij në përpjekjen e fundit për të frenuar valën amerikane.

Veprimet e Klingenberg në Beograd përshtaten me mistikën që rrethon SS-ët. Pavarësisht nga mizoritë që iu atribuohen saktë njësive dhe individëve SS, akte e tilla kalorësiake dhe të trimërisë – siç demonstroi Klingenberg – nuk ishin të rralla në mesin e profesionistëve të vërtetë. Klingenbergu mund të kishte ndjekur udhëzimet dhe të kontribuonte në shkatërrimin total të qytetit të vjetër dhe të popullsisë së Beogradit, nëse jugosllavët do të kishin ofruar rezistencë të mëtejshme. Historia flet më mirë për aktin e tij të trimërisë dhe të humanizmit. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

Exit mobile version