Site icon Telegrafi

Pushkë, granata e uniforma të Hamasit – gjërat që izraelitët pretendojnë se i ka gjetur në spitalin al-Shifa

Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë publikuar sot dëshmitë për Hamasin, dhe armët e gjetura në spitalin al-Shifa në Rripin e Gazës gjatë bastisjes në këtë qendër mjekësore.

Në kumtesë thuhet se pjesëtarët e njësive elitare të ushtrisë izraelite kanë gjetur armë në qendrën e rezonancës magnetike, transmeton Telegrafi.

“Gjatë bastisjes brenda një njësie në spital, trupat tona kanë gjetur në hapësirat që gjendet rezonanca magnetike armë që organizata terroriste Hamas i përdor”, thuhet në kumtesën e IDF-së.

Izraeli gjithashtu ka publikuar fotografitë dhe video që tregojnë pushkë, granatat dhe pajisje tjera ushtarake.

Siç kanë bërë të ditur në njësitë tjera të spitalit është zbuluar edhe shtabi operativ i Hamasi dhe pajisje të ndryshme teknologjike, që sipas izraelitë është dëshmi që Hamasi e shfrytëzon këtë objekt.

Zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari na konferencën e mbrëmshme për media ka thënë se trupat izraelite kanë gjetur uniforma të Hamasit, që “janë futur nën spital në mënyrë që terroristët të mund të ikin në mesin e civilëve”.

“Këto dëshmi padyshim që tregojnë se spitalit është përdorur për terror, duke thyer kështu rregullat ndërkombëtare”, shtoi Hagari.

IDF-ja thotë se do të vazhdojë të veprojë në spitalin al-Shifa, që beson se Hamasi ka qendrën kryesore komanduese. /Telegrafi/

 

Exit mobile version