Juventusi është njëra nga skuadrat e mëdha që ka dëshpëruar më së shumti në Evropë në këtë fillim sezoni.
Zonja e Vjetër e ka nisur shumë dobët sezonin, pasi në shtatë ndeshjet e para në Serie A ka grumbulluar vetëm 10 pikë.
Ndërkohë edhe më dobët ka nisur Liga e Kampionëve ku në dy ndeshjet e para në grup bardhezinjtë kanë marrë dy humbje dhe janë në telashe nëse do ta kalojnë grupin.
Gjithsesi trajneri Massimiliano Allegri ka pasur probleme të mëdha me lëndime, pasi atij i mungon ylli kryesor Paul Pogba, derisa edhe Angel Di Maria ishte për disa ndeshje jashtë fushave.
Por pushimi për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve ka ardhur në kohën e duhur për Zonjën e Vjetër, pasi për sfidën e radhës ndaj Bolognas me 2 tetor katër lojtarë pritet të rikthehen nga lëndimet.
Portieri Wojciech Szczesny ishte në bankë ndaj Monzas dhe është i gatshëm pasi është grumbulluar edhe me Kombëtaren e tij Poloninë.
Ndërkohë trajneri Allegri ka marrë sinjale pozitive pasi në dispozicion do t’i ketë edhe tre lojtarët tjerë titullarë si Manuel Locatelli, Adrien Rabiot dhe Alex Sandro.
Përveç Pogbas dhe Chieasas që janë edhe për disa javë jashtë fushave, mungesa tjetër në këtë sfidë do të jetë ajo e Angel Di Marias që mori karton të kuq ndaj Monzas. /Telegrafi/