Site icon Telegrafi

Puseta ku u mbyt 11-vjeçari në Ramjan të Vitisë, u hap para dy vitesh (Video)

Një fëmijë 11-vjeçar është gjetur i vdekur në një pusetë, në vendin e quajtur “Lajthitë e Bagdadit,” të fshatit Ramjan të Vitisë.

Zëvendëskomandanti i stacionit policor në Viti, Fatos Latifi, i ka thënë KosovaPress-it se nuk e di se kur është hapur ajo pusetë, derisa ka shtuar se intervenimi nga ana e Policisë ka qenë i menjëhershëm.

“Dy prej fëmijëve janë futur në puestë për t’u pastruar. Njëri prej tyre nuk ka arrit me dalë. Jemi informuar shumë shpejt. Kemi dalë shpejt në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zjarrfikësit, edhe prokurori i Shtetit, edhe zhytësit e FSK-së. Diku në orën 19:40 kanë gjetur edhe trupin e viktimës”, ka thënë Latifi.

Familjarët e viktimës shprehen se fshatarët e kësaj ane nuk kanë që qenë asnjëherë në dijeni për rreziqet dhe thellësinë e madhe që ka ajo pusetë.

Zymer Kurti i ka thënë KosovaPressit se hapësira e cila përbën rrezik për fëmijët, nuk ka asnjë shenjë paralajmëruese për të mos u afruar aty.

Ai ka shtuar se vendi në fjalë është i njohur për lajthi, derisa thotë se viktima dhe fëmija tjetër që e kishte shoqëruar, kanë shkuar me atë qëllim.

Kryetari i fshatit, Xhevat Sallauka, ka thënë se nuk e di arsyen e hapjes së asaj pusete, për të cilën thotë se është hapur para dy vitesh. Por, ka fajësuar pronarin e tokës që nuk ka llogaritur rrezikun që mund t’u kanoset fëmijëve të asaj ane.

Ai ka thënë se toka në fjalë ka qenë shtetërore, deri me rastin e privatizimit nga një pronar nga Gjilani.

Exit mobile version