Kur polici muajin e kaluar u fut në dhomën e shtëpisë së pleqve – përkatësisht në dhomën e pensionistit në jug të Kalifornisë, hasi në një infermiere të kapluar nga paniku duke i bërë masazh në gjoks pacientit, siç edhe e tregojnë pamjet e publikuara më poshtë.
Pacienti kishte pësuar infarkt, e personeli që i është përgjigjur thirrjes për ndihmë nuk kishte pasur pajiset e përshtatshme për ndihmë, thuhet në raportin e policisë, transmeton Telegrafi.
Por para hyrjes në objekt qëndronin infermierët që kishin pajisjet adekuate. Madje refuzonin të futeshin brenda, duke pretenduar se është e kundërligjshme dhe në kundërshtim me masat anti-COVID, thuhet ndër tjera në raport.
Kështu polici vrapoi për ta ndihmuar personin dhe ta shtrijë në shtrat, duke kërcyer rrethojën dhe asistoi zjarrfikësit e njësisë Rialto, shkruan Washington Post.
Pacienti që autoritetet nuk e kanë identifikuar, është dërguar në spitalin më të afërm nga ku është shpallur i vdekur. E kamera e vendosur në uniformën e policit ka filmuar gjithçka, ndërsa këto pamje kanë brengosur tej mase zyrtarët lokalë.
Me urdhër të zyrtarëve lokalë janë publikuar pamjet, e në anën tjetër është bërë e ditur se kanë kërkuar fillimin e hetimeve për të gjithë personat e përfshirë që refuzuan ta ndihmojnë pensionistin tashmë të ndjerë. /Telegrafi/