Telegrafi

Punimet në sheshin e ri të Pejës pritet të fillojnë së shpejti, drejtori Nikçi shpalos detaje

Gjatë ditëve të ardhshme në Pejë pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e pjesës së mbetur të sheshit të qytetit. Punimet pritet të përfundojnë në pranverën e vitit të ardhshëm, projekt ky që buxhetit të Komunës së Pejës do t’i kushtojë mbi një milion euro.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës, Agron Nikçi në një intervistë për Telegrafin ka shpalosur detaje lidhur me projektin.

“Punimet pritet të fillojnë shumë shpejt. Jemi në fazën përgatitore. Punimet janë të ndara në tri lote, do të bëhet elektrifikimi tokësor në shesh dhe pas asaj do të fillojmë me punët ndërtimore të sheshit, që priten besoj në fillim të javës tjetër, pasi që në pjesën ku do të rrënohen këto lokalet ekzistuese, e kemi shtyrë në një afat deri në fund të gushtit, për shkak të sezonit dhe bizneset që janë aty të përgatiten dhe të përfundojnë këtë sezon”, tha Nikçi.

Sipas tij, kalldrëmi, ndriçimi e gjelbërimi së bashku me shëtitoren afër lumit do të jenë vetëm disa nga punët që do të kryhen në kuadër të këtij projekti.

“Sheshi i ri do të jetë vazhdimësi e këtij sheshit ekzistues i cili është ndërtuar në vitet e kaluara. Do të bëhen punimet në pllaton nga kalldrëmi dhe nga guri natyral, aty parashihet të bëhet edhe gjelbërimi, vendosja e ndriçimit të ri dhe do të punohet prapa objekteve ekzistuese që janë afër Lumbardhit.

Do të punohet shëtitorja tre metra e gjerë, e cila do të shfrytëzohet nga qytetarët, që do të vazhdojnë në anën e sipërme, deri tek Ura e Zallit”, ka shtuar Nikçi.


I pyetur nga Telegrafi se çka do të ketë risi për qytetarët në këto investime, Nikçi ka përmendur disa ndryshime për sa i përket rrugëve në qendër të qytetit.

“Pasi të fillojmë implementimin e këtij projekti do të bëhet edhe vendosja e urës së re për vetura dhe këmbësorë, e cila do të bëhet tek udhëkryqi në kyçje të Kapeshnicës dhe ku vazhdon rruga për në lagjen Puhovci dhe atë të urgjencës, duke i lidhur ato dy nyje dhe nga aty rruga do të ndërpritet deri tek sheshi i ri… do të vazhdohet sheshi nga pika e urës deri tek nyja ku do të ndërtohet ura e re, duke u vazhduar sheshi edhe për 300 metra gjatësi”.

“Njëkohësisht në anën e Kapeshnicës do të bëhet rrënimi i atyre objekteve të cilat janë në fazën e shpronësimit, do të bëhet lirimi i hapësirës së rrugës dhe do të ndërtohen muret e Lumbardhit dhe disa pllato për qytetarët, të cilët mund të ulen dhe ta shfrytëzojnë Lumbardhin.

Ura e zallit do të jetë e shfrytëzueshme vetëm për këmbësorë dhe jo më për vetura, kurse ura e re do të jetë në shfrytëzim për këmbësorë dhe për vetura. Aty do të vazhdohet sheshi dhe të bëhet shëtitorja e ndërtuar në lagjen Puhovc, që çon në drejtim të grykës së Rugovës me korzën, ose me sheshin e ri”.

Gjithashtu, drejtori Nikçi ka treguar se sa do të kushtojë ky projekt si dhe kur pritet të kryhen këto punime.

“Punët e planifikuara deri më tash për sheshin e ri e kapin vlerën rreth një milion euro, kurse vazhdimësia e sheshit pritet vlera e saktë të dihet pas projektimeve, ndërsa ne besojmë se në pranverë të vitit të ardhshëm do të jetë sheshi i shfrytëzueshëm për qytetarët”, ka përfunduar ai. /Valdrin Daci/Telegrafi/