Qendrat për punë sociale janë institucionet që janë kritikuar vazhdimisht për neglizhencë të punës dhe trajtim jo të duhur të rasteve. Por nga ana tjetër, ato punojnë me staf shumë të vogël, ku një punëtor social trajton deri 400 raste në vit, ndërkaq norma është 70. Ministrja e Drejtësisë po synon të ndryshojë këtë gjendje përmes reformave në drejtësi.
Sa herë që raste të ndjeshme, ngjarje tragjike vrasje e dhunime ndodhin në Kosovë, prej institucioneve nga është drejtuar gishti kanë qenë edhe qendrat për punë sociale.
Shpesh janë akuzuar për mospunë dhe janë kritikuar për reagim të vonshëm e jo adekuat, megjithatë pak është folur për kushtet që punojnë dhe mënyrën e funksionimit.
Nën kompetencë të komunave kanë qenë e vazhdojnë të jenë, megjithatë dikasteri që i ka nën përgjegjësi tashmë është Ministria e Drejtësisë.
Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për punë Sociale në Prishtinë, shpreson se gjendja do të përmirësohet dhe tregon se po tentojnë të nxjerrin një analizë të thuktë me grupin punues të formuar nga MD-ja.
“Gjendja është e rënduar dhe ka nevojë dhe ka nevojë për përmirësime për këtë arsye është caktuar një grup punues në të cilin jemi pjesë të gjithë akterët dhe pritet të bëhet një analizë ku pas saj, do të dalin rezultatet se cilat janë nevojat si një staf si në infrastrukturë dhe çfarëdo që kontribuon në ofrimin e shërbimeve kualitative për qytetarët e vendit”.
“Analiza do të paraqesë disa rezultate që do të jenë mbase të dhimbshme sepse nuk ka pasur investime në qendra për punë sociale me dekada dhe do të duhet të ketë një intervenim, i cili do të jetë i kushtueshëm”, thotë Mujku.
Nga ana tjetër Albulena Haxhiu si Ministre e Drejtësisë thotë se po pret raportin që të veprojë, teksa për gjendjen jo të mirë i fajëson komunat për mosmbështetje ndaj këtyre qendrave.
“Gjendja e tyre lë shumë për të dëshiruar. Mund të ketë vullnete individuale të zyrtarëve që të kryejnë me përgjegjësi detyrat që kanë, por që për shkak të mosmbështetjes së kryetarëve të komunave, dhe komunave në përgjithësi sepse siç e dimë për këtë përgjegjës janë komunat, për rekrutimin e zyrtarëve për profilizimin po ashtu të tyre, mirëpo unë jam shumë optimiste që pas përmbylljes së kësaj analize do të kemi një pasqyrë të qartë”.
“Kjo mund të zgjasë pak sepse gjendja nuk është e mirë nëpër qendrat për punë sociale dhe unë mendoj që asnjëherë nuk i është dhënë prioriteti dhe trajtimi i duhur”, deklaron Haxhiu.
Mujku bën të ditur se ndërkombëtarisht vlerësohet që një punëtor social duhet të trajtojë 50 deri në 70 raste brenda vitit, ndërkaq në Kosovë i trajtojnë 300 deri në 400 raste.
“Një prej problemeve bazike në sistemin e mbrojtjes sociale tani për tani është stafi, dhe infrastruktura përcjellëse duke përfshirë edhe veturat dhe pjesën tjetër. Mirëpo, komunat që kanë obligim rekrutimin e stafit kanë qenë pak neglizhente në të gjitha komunat, përfshirë Prishtinën e cila vetëm gjatë vitit të kaluar ka marrë rreth 15 punëtorë të rinj, të cilët e kanë zbutur situatën mirëpo, nuk është situatë krejtësisht e kompletuar, sepse na nevojitet numër i konsiderueshëm i stafit”, shton ai.
Në janar të këtij viti, shërbimet që ofrojnë qendrat për punë sociale, kanë kaluar nën përgjegjësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Ndryshimet që parashihen të bëhen në lidhje me to hyjnë në reformën për drejtësi që e ka nisur ky institucion./RTVDukagjini/