Telegrafi

Punëtorët Shëndetësorë nesër marshojnë në kundërshtim të Ligjit të Pagave

Ilustrim

Sindikata e Infermierëve ka njoftuar se nesër do të organizohet marsh për të kundërshtuar siç shprehen ata diskriminim që u është bërë në Ligjin e Pagave, respektivisht rangimin me koeficient të pagave.

“Sindikata e Infermierëve të Kosovës në bashkëpunim me Odën e Infermierëve të Kosovës, Shoqatën e Infermierëve të Urologjisë së Kosovës, Shoqatën e Instrumentareve të Kosovës, Shoqatën e Infermierëve të Psikiatrisë së Kosovës organizon aktivitetin “MARSHOJMË PËR PAGË DINJITOZE”, nesër më datë 01.03.2022 nga ora 15:00”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit thuhet se marshi do të nis nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Prishtinë, për të vazhduar drejtë sheshit “Zahir Pajaziti” dhe për të përfunduar në Sheshin “Skënderbeu”, para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ftohen të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor nga e gjithë Kosova, SHSKUK/QKUK, Spitalet Rajonale, QMF-të, QKMF-të, Shërbimet e Mjekësisë Urgjente përveç kujdestarive, që t’i bashkëngjiten këtij marshimi. Në institucionet tjera të sigurohet dhënia e shërbimeve dhe zhvillimi normal i punës pas përfundimit të orarit të rregullt të punë ( ndërrimet )”, thuhet më tej në njoftim.

Gjithashtu është kërkuar nga pjesëmarrësit që t’i respektojnë rekomandimet e MSH dhe IKSHPK, respektivisht bartjen e maskave gjatë zhvillimit të aktivitetit. /Telegrafi/