Një Grup Punues prej dhjetë personash punuan thuajse gjashtë muaj për ta përfunduar draftin e Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit, por zyrtarë të kësaj kryeministrisë kanë vërejtur parregullsi në këtë proces.
Më saktësisht, dokumenti të cilin e kanë bërë Grupi Punues dhe ai i cili është miratuar dhe nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, po pretendohet se nuk është i njëjti.
Zyrtarë të Zyrës së Kryeministrit kanë njoftuar se janë futur në grevë, pasi po kërkojnë të anulohet kjo rregullore, kërkesë kjo që u dërgua në Kabinetin e Kryeministrit Hoti, më 6 janar 2021, por që sipas Këshillit Grevist, kjo kërkesë nuk u përfill nga ta.
Fillimi i kësaj greve u bë i ditur, përmes një dokumenti nga Këshilli Grevist i përbërë nga Arben Krasniqi, Isa Hajdari dhe Arlinda Sejdiu-Likaj.
Këshilli grevist më 6 janar 2020 i kishte dërguar një kërkesë Kabinetit të Kryeministrit ku kërkojnë anulimin e Rregullores nr.01/2020 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Zyrën e Kryeministrit, duke i shpjeguar me detaje, gjithë ecurinë e formimit të kësaj rregulloreje dhe parregullsitë që sipas tyre kanë ndodhur në këtë proces.
Përmes kësaj kërkese, ata kishin shpjeguar në detaje gjithë procedurën, e cila nis nga nga qershori i vitit 2020, kur edhe u formua ky Grup Punues për të bërë këtë rregullore, e deri tek reagimet e shumta të anëtarëve të Grupit Punues të cilët kanë deklaruar se në këtë rregullore janë bërë ndryshime, pa dijeninë e tyre dhe jashtë këtij grupi.
Gjatë gjithë kohës, anëtarët e Grupit Punues kishin komunikuar përmes emaileve dhe kishin kërkuar të shohin draftin final të këtij dokumenti, por një gjë të tillë e kishin parë vetëm pas publikimit.
Një burim brenda kryeministrisë i ka thënë Telegrafit se rregullorja të cilën e ka nënshkruar Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti për organizim të brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Zyrën e Kryeministrit nuk është e njëjta me atë e cila është punuar nga Grupi Punues, i përbërë nga rreth 10 persona nga qershori deri në tetor të vitit 2020.
I njëjti person pretendon se për ndryshimin e kësaj rregulloreje ka ndikuar drejtpërdrejtë zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj dhe dy persona të tjerë brenda Zyrës së Kryeministrit.
“Kur ka përfunduar kjo punë, zëvendëskryeministri Selmanaj me dy persona të tjerë brenda zyrës së Kryeministri, e kanë ndryshuar rregulloren, faktikisht e kanë falsifikuar rregulloren, edhe e kanë dërguar në Zyrën e Kryeministrit për nënshkrim. Zëvendësministri Selmanaj gjatë gjithë kohës ka ndërhyrë që me disiplinuar persona që ai i llogarit si të papërshtatshëm”, i tha ai Telegrafit.
Megjithëse Telegrafi ka tentuar disa herë gjatë ditës që të kontaktoj me zëvendësministrat, Driton Selmanaj dhe Besnik Tahiri ata nuk e kanë hapur telefonin.
Selmanaj është kontaktuar edhe përmes emailit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje deri më tani.
Rregulloren e miratuar e gjeni duke klikuar në këtë LINK. /Telegrafi/