Telegrafi

Punëtorët e Kosovës: Më të shtypurit në rajon, por festojnë! (Video)

Ritmi i humbjes së jetës së punëtorëve nëpër vendet e tyre të punës ka vazhduar edhe këtë vit, ku për tre muajt e parë të këtij viti kanë humbur jetën tre punëtorë në sektorin e ndërtimit, raporton KTV.

Për të kërkuar të drejtat e tyre, BSPK e Prizrenit organizoi protestë, përkundër BSPK-së në qendër që edhe këtë 1 maj vendosi të mos organizojë protestë.

Fahrije Kastrati nga Prizreni kishte lënë argëtimin në motin e nxehtë që mbretëroi sot, për t’iu bashkuar një grupi protestuesish, të cilët në Shatërvan kishin dalë për të kërkuar të drejtat e tyre.

Ajo ka mbetur pa vendin e saj të punës që shtatë vjet, qëkur ndërmarrja Printeks, në të cilën kishte punuar për 25 vjet, u privatizua.

Ky grup, sado i vogël, është i vetmi në gjithë vendin që ka dalë të shprehë pakënaqësinë rreth gjendjes së punëtorëve në vendin tonë, transmeton koha.net.

Protesta u organizua nga dega e BSPK-së në Prizren.

Në vendin tonë situata vazhdon të mbetet e rëndë sa u përket të drejtave të punëtorëve.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, për tre muajt e parë të këtij viti në vendin tonë kanë humbur jetën tre punëtorë në sektorin e ndërtimeve. Drejtues të këtij inspektorati kanë paralajmëruar dënime të ashpra për ndërmarrjet që vazhdojnë të mos i plotësojnë kushtet elementare, siç janë kontratat dhe pajisjet e punës.

Vitin e kaluar kanë humbur jetën nëntë punëtorë, ndërsa janë lënduar 63. Vdekjet më të mëdha që nga paslufta të evidentuara janë ato të vitit 2012, kur në vendin e tyre të punës kanë humbur jetën 12 punëtorë.