Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës do të protesojnë të enjten para objektit të Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar futjen e tyre në Ligjin për paga.
Në një njoftim të nënkryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut (SR KEK) thuhet se kjo protestë ka për qëllim, që KEK-u të largohet nga Ligji për Pagat.
“Të nderuar anëtarë të SRKEK-ut, punëmarrës të KEK-ut, sot Kryesia ekzekutive e Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës ka marrë vendim që të protestojmë me gjithë punëtorët e KEK-ut, para Qeverisë së Republikës së Kosovës më 14.02.2019 duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në këtë njoftim.
Sipas tyre, punëtorët e KEK-ut nuk paguhen nga buxheti i shtetit, por nga buxheti që buron prej prodhimit të energjisë.
“Arsyeja e protestës është që të kërkojmë të tërhiqet KEK-un nga Ligji për paga, duke pasur parasysh se punëtorët e KEK-ut marrin paga nga djersa e tyre, nga buxheti që buron nga prodhimi i energjisë elektrike, e jo nga buxheti i shtetit”, përfundon komunikata.
Pakënaqësi me Ligjin për Paga ka pasur edhe nga shërbyesit civilë, kontrollorët ajrorë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. /Telegrafi/