Telegrafi

Punësimi i të rinjve në Ballkanin Perëndimor, Kosova në fund të listës (Video)

Udhëheqësi i projektit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Nand Shani në një intervistë të dhënë për Telegrafin ka folur rreth papunësisë në Ballkanin Perëndimor, ai theksoi se nga të dhënat e publikuara nga nga ky këshill, Kosova ka pozicionin më të keq.

“Problemi i punësimit është njëra nga sfidat kryesore të vendeve të Ballkanit. Mesatarisht në gjithë Ballkanin niveli i papunësisë i moshës 15-24-vjeç është 35%. Ndërsa papunësia e përgjithshme është 16%  në gjithë Ballkanin. Papunësia e të rinjve është dy herë më e lartë sesa papunësia e përgjithshme. Kjo tregon se ka një problematik të thellë sa i përket tranzicionit të të rinjve nga shkolla në tregun e punës”, ka thënë Shani në intervistën për Telegrafin.

Udhëheqësi i projektit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Nand Shani gjatë intervistës për Telegrafin

Shani tregoi përqindjen e personave të papunë në Kosovë.

“Papunësia e të rinjve në Kosovë është më shumë se 50 %, nëse je i ri edhe je në punë në Kosovë ti je në minorancë në Kosovë. Gjithashtu edhe një statistike shumë e rëndësishme për të rinjtë, të rinjtë që nuk janë në arsim, punë apo trajnim. Përqindja e këtyre në Ballkanin Perëndimor është 22% në Ballkan. Në Kosovës është 30% këta të rinj janë të përjashtuar nga  tregu i punës dhe tregu i arsimit, janë të margjinalizuar”, pohoi ai.

Mes tjerash, Shani tha se Kosova ka një popullsi të re në krahasim me vendet tjera të rajonit, dhe se çdo vit tregut të punës i shtohet një numër i madh i të rinjve dhe se  tregu i punës nuk është i gatshëm të iu ofrojë kushte për punësim këtyre personave.

Konferenca për të rinjtë dhe punësimin në Bukuresht, Foto: RCC

Shani tha se synimi i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal është të identifikohen pengesat në rastin e punësimit të të rinjve, si dhe të shikohet se në cilat vende janë praktikat e mira, dhe të ndodhin shkëmbime mes vendeve të rajonit.

“Synimi kryesor është ngritja e kapaciteteve institucionale, të Ministrisë së Punës, të agjencive punësimit,. dhe shkëmbimi i eksperiencave. Jo vetëm ne vendet e Ballkanit por edhe me vendet e bashkimit evropian, në mënyrë që përafrohemi sa më shumë me të që po synojmë”.

Konferenca “Si t’i përgjigjemi më mirë aspiratave evropiane të të rinjve në Ballkanin Perëndimor”, është mbajtur në kryeqytetin e Rumanisë në Bukuresht. /Telegrafi/. /Telegrafi/