Site icon Telegrafi

“Punësimet e paligjshme në Prishtinë”, Vetëvendosje në mbështetje të Shpend Ahmetit

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se me afrimin e datës së protestës kundër Demarkacionit, ndërkohë që mobilizimi qytetar po rritet, sigurisht, edhe propaganda e pushtetit që mbështetet në gënjeshtra është intensifikuar.

Ndërkohë që përgjimet e skandalit “Pronto” po e demaskojnë e po i heqin dilemat edhe tek ata pak njerëz që kishin ende dyshime mbi këtë pushtet kriminal, sipas VV-së, partitë e koalicionit për kapjen e shtetit kanë filluar një fushatë shpifëse kundër qeverisjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Prishtinës.

“Sa më e qartë që duket situata për qytetarët, aq më shumë nevojë për gënjeshtra e mjegull ka ky pushtet”, thuhet në një komunikatë të VV-së.

Kësaj radhe, sipas VV-së, LDK e PDK kanë hedhur një sërë shpifjesh mbi gjoja punësimet e paligjshme nga Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Tash që të pabërat u kanë dalë për fushe, nuk mund të thonë më se nuk e meritojnë epitetin “Pronto”, por e vetmja mënyrë e tyre për tu mbrojtur është duke thënë se të gjithë janë si ne. Shpifjet që po i bazojnë në falsifikime listash u demaskuan shumë shpejt nga vetë personat e angazhuar nga Komuna”.

“Ne e inkurajojmë Kryetarin e Prishtinës që të vazhdojë me projektet zhvillimore dhe punën transparente, duke e siguruar po ashtu se në këtë betejë kundër zhvatësve të klanit “Pronto” gëzon mbështetjen e mbarë anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe të gjithë qytetarëve që duan ndryshime në Kosovë”, thuhet në komunikatën e VV-së. /Telegrafi/

Exit mobile version