Site icon Telegrafi

Pula- Petrovci: Objekti te Gërmia, alternativa e vetme për ndërtimin e sallës koncertale (Video)

Valbona Pula- Petrovci, pianiste e asambleiste në Kuvendin Komunal Prishtinë, ka thënë se hapja e debatit për ndërtimin e sallës koncertale është diçka pozitive, sepse tregon një vetëdijësim për trashëgiminë.

Ajo në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se të gjithë jemi të një mendimi se Kosova ka nevojë urgjente për një sallë të koncerteve.

“Nuk është e rastësishme pse Komisioni Evropian pikërisht i ka nda këto mjete për ndërtimin e kësaj salle… Komuniteti muzikor i ka rritur namin këtij vendi”, tha ajo përcjell Telegrafi.

Asambleistja e pavarur ka thënë se të gjithë kemi ndonjë emocion për këtë objekt, por nuk është në listën e trashëgimisë kulturore.

“Ky objekt nuk është në listën e trashëgimisë kulturore. Gjëja e parë që na ka pyetur BE-ja për këtë objekt ishte nëse ai është në listën e mbrojtjes trashëgimisë”.

Pula- Petrovci ka thënë se alternativat për ndërtimin e sallës koncertale janë diskutuar dhe kanë ngelur vetëm dy opsione.

“Është objekti te Gërmia dhe prapa Pallatit të Rinisë. Por meqë prapa Pallatit të Rinisë janë në plan ndërtimi i shumë objekteve tjera dhe kërkesa e Komisionit Evropian është që salla të jetë larg stadiumit, atëherë s’na mbetet alternativë pos Gërmisë”, tha Pula- Petrovci./Telegrafi/

Exit mobile version