Site icon Telegrafi

Publikoi fotografinë e një vajze nga komuniteti rom të ulur në karrigen e presidentes – Matoshi e quan Osmanin raciste, reagon presidenca

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, presidentja e vendit, Vjosa Osmani të hënën publikoi një fotografi të 7 vjeçares, Nuraji ku bëri thirrje për sa më shumë arsimim të vajzave dhe grave rom, por në lidhje me këtë postim reagoi analisti, Halil Matoshi i cili e quajti presidenten “raciste”.

Matoshi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ekspozimi i një vajze 7-vjeçare nga komuniteti rom vetëm në zyrën e Presidentes së Kosovës  e dëshmon racizmin kulturor të Presidentes, të cilës siç tha ai “i flet ndërdija”.

“Ajo përmes imazhit e pranon së romët kosovarë janë vetëm dhe se Presidentja (vet nji grue dhe nânë) nuk del me qef as në fotografi me nji vajzë të komunitetit rom”, ka shkruar Matoshi.

Ndërkaq, në lidhje me këtë reagoi edhe Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Osmani.

Kupina tha se një vajzë e komunitetit rom e ulur në karrigen e të parës së shtetit nuk përbën fashizëm, siç pretendon Matoshi, por, përkundrazi personifikon mundësinë që secila vajzë, pavarësisht përkatësisë, nesër të jetë në po atë vend.

Ai tha se vajza në fotografi sikurse edhe të tjerat kanë potencial, ndaj fotoja e shpërfaqë më së miri këtë mesazh dhe është bërë në prezencë dhe me pëlqim të babait të saj.

Exit mobile version