Telegrafi

Publikohet tema e diplomës së heroit Agim Ramadani, që e bëri në Akademinë Ushtarake në Zagreb

Bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, ka publikuar punimin e temës së diplomës së bashkëshortit të saj që e kishte bërë në Akademinë Ushtarake të Zagrebit.

Zonja Ramadani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se tema e realizuar nga heroi Agim Ramadani në fushën e komunikacionit mund të jetë e dobishme për ushtrinë tonë FSK-në.

Postimi i plotë i Shukrije Ramadanit:

“Të nderuar miq të portës sime digjitale. Meqë shumë nga ju keni njohur Agimin, por nuk keni pasur rastin të njihni bukurshkrimin, përkushtimin dhe njohuritë e thella që posedonte në fushën që përcaktohej për ta studiuar, po ndaj me ju sot punën e madhe që ka bërë në temën për diplomim në drejtimin si ushtarak karriere në fushën e komunikacionit, në kazermën “Ivan Goshnjak” në Zagreb, duke qenë e bindur se edhe sot kjo temë është tejet e rëndësishme për ushtrinë tonë (FSK) e cila duhet të formësohet sa më profesionalisht që është e mundur. Më vjen keq, që ende nuk kemi arritur ta përkthejmë këtë punim diplome që me kaq dashuri, përkushtim, profesionalizëm e durim u shkrua me dorën e Agimit! Ka mbi 70 faqe, këtu po i paraqes pak nga ato!”, (sic.)  ka shkruar ajo.

Agim Ramadani komandoi forcat e UÇK-së që thyen kufirin në Koshare në vitin 1999, në luftë kundër forcave serbe ku ra heroikisht. /Telegrafi/